Ministri i Brendshëm, Taulant Balla është nisur për në Drejtorinë Vendore të Policisë së Korçës pas vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Maliq, teksa sot u vetëvra dhe autori.

Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se ministri Balla pritet të ketë një takim me strukturat e policisë.

Kujtojmë se 55-vjeçari, Gjergji Mullolli vrau dhe hodhi në gropën e ujërave të zeza bashkëshorten e tij 46-vjeçare, Luiza Mullolli, të cilët ishin në proces divorci. Ndërsa paraditen e sotme, 55-vjeçari u vetëvra në afërsi të fshatit Zemblak.

46-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve u vra ditën e djeshme kur sapo ishte kthyer nga puna në banesë. Ka qenë djali i viktimës, i cili kur është kthyer në banesë nuk e ka gjetur nënën dhe ka alarmuar familjarët e tjerë dhe më pas policinë.

Sipas familjarëve, autori ishte i alkoolizuar dhe kishte ushtruar gjithmonë dhunë ndaj gruas, e cila ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: