TIRANË

Kryeredaktorja e televizionit informativ News24, Anila Jole, analizoi në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, zhvillimet më të bujshme të këtij viti, që nga zgjedhjet e 25 prillit, te pandemia dhe situata e krijuar në Partinë Demokratike. Kryeredaktorja Jole tregoi në studion e emisionit se si janë raportuar këto ngjarje në ekranin e televizionit News24, ndërsa foli dhe për impaktin që ato kanë pasur te shoqëria shqiptare, ku padyshim kryesore ka qenë pandemia e koronavirusit, e cila vijon prej dy vitesh të mbajë në ankth njerëzit.

Jole e nisi intervistën me një mesazh për të gjithë gazetarët, të cilëve iu duhet të jenë gjithmonë në krye të detyrës, pavarësisht halleve familjare që mund të kenë.

“Ajo që vë re është se kalojnë vitet, neve na duket se ndryshojme, maturohemi, bëhemi njerëz më të qetë, më të përmbajtur, ndërkohë që zhvillimet në Shqipëri nuk njohin një qetësi të tillë. Çdo vit ka ngjarje të papritura, zhvillime të ethshme, dhe neve na duhet të jemi gjithmonë në të njëjtën adrenalinë, në të njëjtën forcë për ta përballuar këtë. Kjo është vështirësi e këtij profesioni, pra një profesion që nuk njeh lodhje, nuk njeh halle familjare. Çfarëdo problemi të kesh, ti duhet të jesh në të njëjtin humor, në të njëjtën forcë e angazhim për të përcjellë lajmin, se shikuesi nuk pret. Kështu ndodhi edhe këtë vit që po mbyllet, dhe ne sigurisht kemi qenë në krye të punës”, tha Jole.

Jole 3
Jole 3

Intervista:

Si e kemi përjetuar dhe përcjellë situatën me virusin?

Këtë vit që po mbyllet ne krijuam një përvojë më të madhe, se është viti i dytë që merremi me virusin dhe që vazhdon të mbetet një ndër lajmet kryesore. Ne tashmë edhe vetë ishim më të sigurt në punën që bënim, sepse në vitin e parë ishim më të frikësuar, të mbyllur, izoluar. Ndërsa tani edhe në News24 shumica e njerëzve janë prekur nga virusi dhe ishim disi më të lehtësuar se nuk rrezikoheshim aq shumë. Për fat të mirë, filloi vaksinimi dhe kjo na bëri edhe më imun. Pati hezitim, sepse ka një kategori që bën propagandë anti-vaksinë. Por, ka ardhur një kohë ku dëgjohen të gjitha palët, dëgjohet edhe shkenca. Mjekët dhe spitalet i kemi pasur aleatë për çdo sëmundje që në lindjen tonë, kur jemi vaksinuar me një sërë vaksinash, kështu që duhet t’i besojmë edhe për Covid-in.

Me ç’kuptohet nga shifrat që shohim nga buletinet e MSH, duket se numri i viktimave nuk është ai i vitit të shkuar. Mendoj se kjo ka të bëjë jo vetëm me zbutjen e virusit dhe rënien e tij, por edhe me vaksinimin e njerëzve. Mendoj se njerëzit e kanë kuptuar se nuk kanë pse ta lënë veten në mëshirë të fatit dhe të përfundojnë në spital, në vend që të vaksinohen. Nuk them që me vaksinë nuk prekesh nga virusi, por infektohesh në formë më të lehtë.

A duhet të kishte më tepër sensibilizim sa i takon vaksinimit?

Nuk mendoj se ka munguar. Duhet sensibilizim, është e vërtetë. Mendoj se secili nga ne ka humbur një njeri të afërt nga virusi. Ka një histori familjare dhe kjo të bën të ndërgjegjësohesh. Prandaj mendoj se të gjithë do të ndërgjegjësohen dhe do të arrijë në minimum numri i njerëzve të pavaksinuar.

Jole
Jole

Politika është ajo që nuk ka njohur Covid, ka qenë agresive në zhvillimet e saj. Si u panë në News24 zgjedhjet e 25 prillit?

Zgjedhjet janë ngjarja më e rëndësishme për një media, për nga angazhimi. Zgjedhjet janë një ngjarje e madhe, që angazhon një staf të tërë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të vendit. Edhe këtë vit kështu ndodhi te ne. Net pa gjumë, punë me turne për të gjithë, në mënyrë që televizioni mos mbetej pa informacione në asnjë çast. Edhe këtë herë mendoj se ia kemi dalë, kemi qenë burim informacioni, ku të gjithë shikonin rezultatin e zgjedhjeve. Punuam mjaft me grafikën, që njerëzit t’i kishin sa më të kuptueshme rezultatet. Padyshim që ka vend për më mirë, por gjithçka përmirësohet me ngjarjen pasardhëse. Ne do të kemi sërish zgjedhje dhe do të përmirësojmë shumëçka.

Të qëndrojmë te qeveria, e prisnit të kishte kaq shumë zonja?

Dihet që Rama i afron mjaft gratë dhe për këtë nuk mund të them që s’më vjen mirë. Do ishte e pahijshme të themi që nuk duhen gratë në qeveri. Ne kemi shumë gra dhe në redaksi, që punojnë e janë njerëz të disiplinuar, të ndërgjegjshëm, kanë një lloj sensi tjetër përgjegjësie në krahasim me burrat dhe Rama e di këtë. Rama e kalon pak cakut me të rinjtë, pasi sipas mendimit tim, duhet alternuar me të vjetrit. Sepse një i vjetër simbolizon pjekurinë, përvojën dhe përgjegjshmërinë. Po të isha unë në qeveri do të kujdesesha për balancim. Të kesh të rinj, por të kesh dhe disa të vjetër që kanë përvojë.

Të ndalemi pak te patronazhistët, çfarë solli kjo dhe sa na dëmtoi?

Publikimi i të dhënave personale asnjëherë nuk është diçka e mirë për një shtet. Të dalë preferenca politike rrëzon gjithë parimin se “vota është e fshehtë”. Zbulon secilin nga ne. Ishte e vetmja gjë që ne mendonim se na kishte mbetur e fshehtë. Është e patolerueshme. Vjen jo vetëm nga ata që e kanë bërë, por edhe për faktin se njerëzit nuk kanë frikë nga drejtësia. Nëse njerëzit do të ndëshkoheshin nga një drejtësi e drejtë, nuk do të guxonin ta bënin këtë skandal. Unë nuk di të kemi një njeri përgjegjës për patronazhistët. Unë nuk kam asgjë kundër patronazhimit, mund të bëjë punën e vet, ndodh kudo në botë, por problemi është pse duhet të dalin të dhënat në publik. Rama le t’i lëvdojë e t’i mbajë si strukturë. Nëse do kishin dalë përgjegjës për daljen e të dhënave të zgjedhjeve, nuk do ta kishim sot daljen e pagave.

Të ndalemi tani te pagat, dy databaze e janarit dhe e prillit…

Dalja e pagave shkakton një konflikt social, sepse në një ndërmarrje private njerëzit shohin pagat e njëri-tjetrit. Nëse do të ishim një shoqëri e përgatitur që pas këtij skandali të diskutonim ku është meritokracia, në rregull, por ne nuk jemi të përgatitur. Dalin të dhënat e ushtarakëve, të SHISH. Gjithçka është e zbuluar, ka mbetur vetëm një kamera në dhomën tonë të gjumit. Ose është hakeruar sistemi, ose i ka nxjerrë një punonjës, por në të dyja rastet problemi është i qeverisë dhe duhet ta zgjidhë.

Po qëndrimi i Ramës si u duk?

Një qëndrim që i takon ta ketë një kryeministër. Vura re se kryeministri shfaqte një shqetësim, gjë që ka ndodhur jo shpesh. Nuk do të donte asnjë kryeministër që kjo t’i ndodhte. Është një skandal i madh, shumë e rëndë. S’ka ku shkon më shumë. Është prekur privatësia e njeriut deri në thelb, deri në kockë. Qëndrimi i Ramës është që duhet të kërkojë drejtësi dhe t’i shkohet deri në fund drejtësisë. Nëse e vërteta për këtë nuk do të dalë, kam të drejtë të mendoj se edhe qeveria e fsheh. Nëse drejtësia nuk del, ai gjen të drejtën të akuzojë dhe opozitën. Por ai nuk mund të akuzojë opozitën se u fut në servera dhe vodhi këto të dhëna.

Flasim tani për “Open Balkan”, ku tre vende janë bashkuar dhe tre jo. Çfarë po sjell kjo nismë?

Marrëveshjet që po nënshkruhen, duhet parë zbatimi i tyre për të mirat që do të kenë për tre vendet. Kemi vite të tëra që na premtohet se kemi plotësuar kushtet për BE, ndaj dhe këto tre vende ndërmarrin këtë nismë, që mua nuk më duket tejet e gabuar, po të kemi parasysh që edhe Komisioneri Varhelyi e mbështeti hapur dhe iu bëri thirrje edhe vendeve të tjera të marrin pjesë. Nëse do të ketë të mira konkrete për qytetarët, pse jo, ndoshta BE do të kujtohet dhe do të na pranojë. Edhe Kosova që e refuzon, të mos harrojmë se me Serbinë do ulej në tryeze edhe nëse do të fillonte negociatat me BE.

A vijojmë të jemi në pozita të mira Shqipëri-Kosovë?

Mendoj se jemi si dy vëllezër. Sado të grinden, gjaku ujë nuk bëhet. Asgjë e madhe nuk do të ndodhë, jemi vëllezër të një gjaku dhe rrugën e përbashkët do ta gjejmë. Uroj që të jemi në rrugën drejt BE, ose të paktën të “Open Balkan”.

Çfarë roli kanë pasur ambasadorët e huaj për Shqipërinë?

Shqipëria është ende një vend i brishtë dhe roli i ambasadorëve është ai që është. Jemi si ata fëmijët që kanë nevojë për një tutorial, për të ecur, nuk mund të ecim vetë, sepse ndoshta pa praninë e tyre, do të krijohej një situatë, që nuk do doja të krijohej. Mendoj se prania e tyre në këto kushte është e domosdoshme. Dhe nëse flasim për zonjë Yuri Kim dhe të tjerët, ata përfaqësojnë shtetin e tyre dhe pa asnjë dyshim përcjellin qëndrimin e atij shteti.

Shpallja “non grata” e Berishës nga SHBA, çfarë do të thoshte kjo për Shqipërinë dhe për vetë Berishën?

Ishte një ngjarje që shumëkush nuk e priste. Ne kur pamë “tëitter-in” e Blinken nuk arrinim ta besonim që ishte e vërtetë. Po hezitonim të nxirrnim lajmin, se mos kishte ndonjë hakerrim. Megjithatë rezultoi i vërtetë. Ishte një lajm krejt i papritur. Më erdhi keq që një figurë kaq vjeçare, që ka dhënë për Shqipërinë, të kishte një fund karriere të atillë. Amerika thotë që ka faktet e veta dhe arsyet e veta, që për rregullat e vendit të tij e ka bërë, por dihej që kjo do të ndikonte në politikën shqiptare dhe Shqipëri. Duke njohur karakterin e Berishës, dihej që ndikonte shumë. Se deri ku do të shkojë ndikimi i këtij vendimi, askush nuk e di.

Mund të ketë edhe zyrtarë të tjerë që do të shpallen “non grata”…

Shpallja e Berishës ka shkaktuar një furtunë, ndaj dhe SHBA do presë që të zgjidhet situata e Berishës. Nuk është momenti për të nxjerrë emra të tjerë. Kemi një përplasje shumë të fortë që krijoi shpallja “non grata” e Berishës, sepse pasoi me përjashtimin e tij nga grupi i PD.

Flasim tani për vendimin e Bashës për të përjashtuar Berishën, gjë që ndryshoi rrënjësisht situatën. Pritej ky reagim i Berishës ndaj Bashës?

Askush nuk e priste këtë. Unë nuk prisja që as Basha të merrte këtë vendim, për hir të së vërtetës. Është një vendim për t’u përgëzuar, por ishte i papritur për ne. Do ishte më mirë të merrej një vendim i bazuar në Kryesi apo në një forum të lartë të PD, por Basha ashtu e ka parë të arsyeshme. Mbase e ka ditur që do të kishte përplasje, ndaj e ka marrë përsipër ta mbajë vetë këtë barrë, që në të vërtetë po e mban. Basha po shfaq një personalitet tjetër, një figurë tjetër.

Vjen kjo nga mbështetja që ka nga SHBA?

Nëse ai ka vendosur të drejtojë PD, duhet të shfaqë një figurë tjetër. Nuk e di nëse do ta bënte këtë, nëse nuk do të kishim një shpallje “non grata” nga SHBA. Nuk e dimë nëse do të ndodhte, nëse Amerika nuk do t’i kishte dhënë këtë as në dorë.

Në 30 vite kjo është situata më e paprecedentë në PD…

PD është në një situatë ku asnjë shqiptar nuk do donte ta shihte. Një PD e përçarë, është një PD më e dobët. Si do përballet me Ramën, me një parti kaq të konsoliduar, 3 mandate në pushtet. Më vjen keq që Berisha ka një grup mbështetësish, që frymëzojnë ose heshtin ndaj akteve të dhunës. Të shkosh në seli çdo ditë dhe bësh presion për të marrë selinë, t’i biesh derës me shkelma, e për më tepër të vësh ultimatumin se më 5 përmbaruesin do ta bëjë vetë anëtarësia, kjo është shumë e rëndë. Unë prirem të besoj se njerëzit që mbështesin Berishën kanë dëshirë ta marrin me dhunë. Unë kështu e kuptoj fjalën “anëtarësia do jetë përmbarues i vendimit të uvendit”, që të marrim zyrat me dhunë. Ka ikur koha kur shqiptarët mbështesin dhunën. Kemi shumë viktima nga dhuna. Nëse ata do të rreken që më 5 janar të bëjnë diçka të tillë, do jenë shumë të paktën njerëzit, gjithë shoqëria do të distancohet. Nëse një parti ka probleme të brendshme, duhet t’i zgjidhë në mënyrë demokratike. Mitingu në shesh dhe shfaqjet e forcës në rrugë, nuk tregojnë mbështetjen që ke. Duro dhe bëje një referendum të vërtetë me votë dhe trego mbështetjen që gëzon.

Si i gjejnë shqiptarët festat e fundvitit?

Nuk do doja që në vigjilje të këtyre festave njerëzit të merreshin me politikë. Është për të ardhur keq që politika vazhdon të marrë vëmendjen, por kjo ndodh se politika na ndikon jetët tona. Qeveria duhet të ishte pak më dorëlëshuar me shpërblimet në këtë fundvit, por e mirë është që nuk përjashtoi pensionistët. Do ishte mirë që të gjithë të gëzoheshin.

Sa po bëhet për turizmin dhe sa rritje ka Shqipëria?

Ka ndryshime dhe kjo është e dukshme. Dua të flas për Korçën, ku sot që është Krishtlindje nuk gjen një dhomë të lirë. Kjo është një gjë shumë e bukur. Korça është kthyer në një atraksion turistik dhe është e pabesueshme ajo që ndodh për Krishtlindje.

Jole 2
Jole 2

Ta mbyllim me News24…

News24 është familja jonë e dytë, madje kalojmë më shumë orë këtu, se në shtëpi. Më emocionon kur e përmend, nuk do doja të largohesha me vullnetin tim të lirë asnjëherë nga ky televizion. Do doja ta mbyllja këtu karrierën time profesionale. Zoti dashtë ashtu! Kam kolegë kaq të mirë, kaq të dashur, kaq bashkëpunues, dhe të gjithë përpiqemi t’ia bëjmë punën më të lehtë njëri-tjetrit.

A ndihemi ndonjëherë të sulmuar, të linçuar, se s’kemi bërë aq sa duhet, e kam fjalën për persona nga jashtë?

Po sigurisht, lajmet nga shtëpia duken shumë më të thjeshta dhe askush nuk e di çfarë procesi pune është ndjekur për atë një minutë lajm. Megjithatë kritikat gjithmonë na bëjnë mirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb