Në një kohë kur bora dhe ngricat kanë “pushtuar” vendin, Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa misione shpëtimi.

Për momentin, në mision shpëtimi janë në fluturim dy helikopterë Cougar. Njëri prej tyre fluturoi drejt fshatit Iballe të Pukës, ku ndodheshin 3 persona të izoluar në një minierë. Mes tyre ishte dhe administratori i kompanisë Lekë Bicuku, i cili shfaqi probleme shëndetësore ditën e sotme. Ata u morën dhe u transportuan në qytetin e Pukës.

Ndërsa helikopteri i dytë përfundoi me sukses gjithashtu një mision në fshatin Konaj të Fanit për shpëtimin e një gruaje shtatzënë. Pas një ore ajo u transportua në maternitetin e Tiranës.
Ndërkohë një tjetër helikopter u nis për shpëtimin e një tjetër gruaje shtatzënë e cila paraqiste probleme shëndetësore në Arrëz të Kukësit, por sipas Ministrisë së Mbrojtjes ajo nuk pranoi të hipte në helikopter edhe pas 30 minutash tratativash.

Shefi i emergjencave civile në Elbasan, Mustafa Arapi sqaroi situatën e një të sëmuri në Sopot të bllokuar nga bora. “Jemi duke vlerësuar max çdo shqetësim shëndetësor të popullatës.Rasti i Sopotit po ndiqet seriozisht nga të gjitha strukturat.. Kemi kërkuar nga DSHP LB dhe mjeku i familjes info për gjendjen e të sëmurit nga Sopoti ku ka nuk mund të shkojë autoambulanca dhe për momentin edhe ulja e helikopterit është thuajse e pamundur. Gjithsesi po bëhet gjithçka për ti dhënë ndihmën e nevojshme të sëmurit,” tha ai.

Më herët Forcat e Armatosura ndërhynë nga ajri edhe në dy raste të tjera, duke shpëtuar jetën e një personi në Koman dhe një personi tjetër në Tepelenë. Forcat e Armatosura gjithashtu janë të angazhuara në terren me mjete dhe njerëz.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb