Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u shpallën fajtorë gjashtë shtetas dhe pesë persona juridikë për krijimin e një skeme mashtruese për përfitimin e rimbursimit të TVSH-së. Mes të shpallurve fajtorë janë dy shtetas italianë dhe kompanitë e tyre.
Prokuroria provoi se shtetasit I.Q. dhe E.B., në bashkëpunim me italianët A.D., S.C. dhe S.C., ngritën një skemë përfitimi të TVSH-së përmes kontratave fiktive të konsulencës juridike. Kjo skemë përfshinte shpërndarje të shumave monetare dhe shmangie të detyrimeve tatimore, në kundërshtim me ligjin. Kontabilisti Z.K. u shpall gjithashtu fajtor për trajtim kontabël të gabuar.
Gjykata vendosi dënime të ndryshme për individët e përfshirë:
-I.Q.: 3 vjet burgim për krijim skeme mashtruese në TVSH;
-E.B.: 3 vjet burgim për skemë mashtruese dhe mospagim taksash;
-A.D.: 4 vjet burgim për fshehje të të ardhurave dhe skemë mashtruese;
-S.C. dhe S.C.: 3 vjet burgim secili për skemë mashtruese dhe mospagim taksash;
-Z.K.: 180 orë punë në interes publik për moskallëzim krimi.
Po ashtu, gjykata shpalli fajtorë dhe gjobiti personat juridikë:
-“Sidec Albenergy” sh.p.k.: 1.500.000 lekë;
-“Primis” sh.p.k.: 1.000.000 lekë;
-“Gainsbourg” sh.p.k.: 1.200.000 lekë;
-“Al Nair Trading” sh.p.k.: 1.200.000 lekë;
-“CS International Consulting”: 1.200.000 lekë.
Sipas Prokurorisë, personat dhe kompanitë e përfshira kishin ndërtuar një rrjet të mirëorganizuar të qarkullimit të parave përmes shërbimeve fiktive, duke shfrytëzuar kontrata konsulence dhe duke përfituar padrejtësisht nga TVSH-ja, duke vendosur kështu një precedent për rastet e mashtrimeve fiskale ndërkombëtare.
