Ish-deputeti i PS dhe eksperti i sigurisë Denis Deliu ka komentuar situatën në Ngushticën e Hormuzit, në kuadër të tensioneve mes SHBA-ve dhe Izraelit me Iranin.
I ftuar në emisionin Studio24 në News24 Deliu theksoi se Irani e ka përdorur shpesh këtë ngushticë si një mjet presioni në përballje me sanksionet ndërkombëtare.
“Irani ka një privilegj apo garanci dhe herë pas here e ka përdorur Ngushticën e Hormuzit si armë dhe mjet diplomatik për të luftuar sanksionet që i janë vendosur për shkak të kufizimeve që kërkoheshin për pasurimin e uraniumit apo kapacitetet balistike,” u shpreh ai.
Sipas tij, pozicioni gjeografik i Iranit i jep një avantazh të rëndësishëm strategjik. Afërsia me këtë korridor detar i mundëson Teheranit jo vetëm mbrojtje, por edhe aftësi për të monitoruar dhe sulmuar anijet që kalojnë aty.
Deliu nënvizoi se vendet e Gjirit Persik kanë interes jetik për këtë rrugë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e transportit global të naftës dhe gazit. Ai shtoi se Garda Revolucionare e Iranit ka ndërmarrë prej kohësh masa për të rritur kapacitetet në zonë.
“Duke konsideruar një ditë si kjo, me një sulm të mundshëm nga SHBA dhe Izraeli, Irani ka investuar në tunele nëntokësore që lidhen me detin. Përmes anijeve të shpejta, lëvizjeve gjatë natës, vendosjes së minave detare, si dhe përdorimit të dronëve të armatosur apo raketave të vendosura në bregdetin malor, krijohet një kërcënim real,” tha ai.
Sipas ekspertit, kjo situatë rrit ndjeshëm pasigurinë në një nga nyjet më të rëndësishme të transportit global të energjisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë botërore.
“Kjo ka sjellë rritje të kostove dhe çmimeve në tregjet globale, si dhe ka ndikuar në marrëdhëniet diplomatike,” theksoi Deliu.
Ai shtoi se për shkak të rëndësisë strategjike të ngushticës, SHBA ka kërkuar mbështetjen e aleatëve për të garantuar sigurinë e furnizimeve energjetike, nga të cilat varen shumë vende të botës.
