NIGER – Tenda, karrige me qera, tryeza në vend të elterit: kështu ishin kishat dje në kryeqytetin Niamey të Nigerit, ku më 16 e 17 janar famullitë katolike e protestante u vunë në shënjestër të protestuesve kundër karikaturave të publikuara nga e përjavshmja franceze “Charlie Hebdo”, pas masakrës së Parisit. Mesha u kremtua pa paramente, sepse veshjet e meshtarëve u dogjën së bashku me ndërtesat.

Radio Vatikani njoftoi se plot shpresë në të ardhmen, gjatë gjithë javës së kaluar, besimtarët u munduan t’i pastronin dhe t’i rregullonin njëfarësoj kishat e djegura. Dëmet arrijnë në 2 milion euro, por të krishterët kanë vendosur të japin një pjesë të pagave të tyre për rindërtimin e vendeve të kultit. Ndokush do të japë materiale, të tjerë kanë vënë në dispozicion krahun e punës.

Të enjten, besimtarët janë mbledhur në lutje para shtatores së Zojës, që së bashku me pak objekte gjetur aty-këtu, ka shpëtuar nga djegia. Ipeshkvi i Niamey-t u kërkoi të gjithëve t’ia ofrojnë shën Marisë vuajtjet dhe shpresat e tyre përmes aktit simbolik të vendosjes së hirit të çdo kishe në këmbët e Zojës. Por prelati nuk harroi të flasë edhe për falje e mirëdashje ndaj myslimanëve, duke i nxitur të krishterët të bëjnë çdo përpjekje për të ushqyer dialogun me bashkësinë islame. “Ç’ndodhi – nënvizoi ipeshkvi – nuk është fryt i dialogut”, përkundrazi. Ai i ftoi besimtarët të forcojnë lidhjet miqësore e vëllazërore me myslimanët.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: