Sekretari i Përgjithshëm dhe deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh sot për mediat pas daljes nga Kuvendi i Shqipërisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama si pronarin real të inceneratorëve.
Ai kritikoi zgjedhjen e Niko Peleshit në krye të parlamentit si një akt në favor të mafies së inceneratorëve.
Blushi theksoi: “Tani mafia e inceneratorëve, pasi drejton qeverinë, zyrtarisht ka marrë në dorë drejtimin e parlamentit. Sot në krye të parlamentit do të kemi ‘Niko inceneratorin’, ose ‘Niko helmin’, se besoj e mbani mend aferën e ‘silikon x’, por më e rëndë akoma është fakti që kushdo kundërshtar i deklaruar i mafies së inceneratorëve, aferë e cila edhe për shkak se drejtësia është kapur prej fyti nga Edi Rama është një aferë që ende vijon dhe prova më të qartë të kapjes së shtetit nga mafia e inceneratorëve, sot e dëshmoi dhe ky votim skandaloz i zgjedhjes në krye të kuvendit të ‘Niko helmit’ apo ‘Niko inceneratorit’.”
Ai gjithashtu kritikoi edhe kreun e SPAK-ut për mosndëshkimin e përgjegjësve kryesorë të aferës, duke thënë: “Sot zyrtarisht, edhe ky tempull i demokracisë u mor peng nga mafia e inceneratorëve përsa kohë përgjegjësi i tolerimit të kësaj afere, Altin Dumani, vijon të mos ndëshkojë përgjegjësin e vërtetë, pronarin ‘de facto’ të inceneratorëve, Edi Rama.”
Blushi përfundoi duke theksuar se Partia e Lirisë nuk mund të mbështesë një proces që dorëzon drejtimin e parlamentit në duart e mafies.
