TIRANË

Tërhiqet qeveria. Protesta e studentëve ka zmbrapsur qeverinë duke shfuqizuar që sot VKM për provimet e mbartura. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla ka folur para mediave dhe ka bërë të ditur vendimin. Ajo iu ka kërkuar drejtuesve të universiteteve të zgjidhin problemet e tjera që kanë studentët.

“Qeveria nuk bën as ulje e as ngritje të tarifave të studimit. janë universitetet që i përcaktojnë ndaj jeni të lutur por patjetër dhe të monitoruar nga MAS që ju të shteroni me studentëve dhe pedagogët një debat që sa mundësi ka të realizohet. Sot buxheti i shtetit mundëson mbi 75% të kostos reale të studimit.
Ka dhe programe të caktuara në UBT ku buxheti i shtetit mbulon mbi 85% të kostos reale të disa programeve të studimit. Është një debat i shëndetshëm që ne duhet t’i shkojmë në fund, faleminderit studentëve që shërbyen si nxitës. Por patjetër ne do të kemi në fund një histori që do rishikojmë jo vetëm komunikimin atë që ndodh nga ministria tek ju por edhe ju me studentët dhe pedagogët por nga ana tjetër gjithë cilësitë dhe përgjegjësitë që ushtrohen nga komponentët që punojnë në arsimin tonë të lartë. Padyshim duke bërë së pari detyrat e shtëpisë qeveria shqiptare dhe MAS me buxhetin. Edhe buxheti i këtij viti është rritur me 8.3 % nga një vit më parë, ne do të vijojmë të rrisim buxhetin e arsimit por pa rritur taksat e shqiptarëve. Kjo është e vërteta që lidhet me tarifat dhe buxhetin e arsimit të lartë. Më duhet të vijoj tani me propozimin për heqjen e pikës 4 dhe që sot qeveria do të shfuqizojë vendimin që lidhet me tarifat për studentët përsëritës”, deklaroi Nikolla.

Katër kushtet e studentëve drejtuar MASR:
1. Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila citon si më poshtë:

Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.

2. Mbështetur në nenin 99 mbi Keshillet studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

3. Përmiresimi i kushteve të konvikteve.

4. Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji i arsimit të Lartë).

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb