Projekti për sistemim-asfaltimin e rrugës Peshkopi-Lurë dhe Lurë-Perlat është drejt mbylljes. Pas disa kohësh zvarritje, firma e cila e mori së fundmi përfundimin e këtij projekti ka nisur hedhjen e shtresës asfaltike. Puna po vijon në të dyja drejtimet nga Lura në Arras të Dibrës dhe nga Lura në drejtim të Rrëshenit.

Për të parë nga afër ecurinë e punimeve ishte kryetari i Bashkisë Dibër, Rrahim Spahiu i shoqëruar nga deputetja Alma Selami dhe Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu. Banorët e Lurës vlerësuan ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore dhe u shprehën se u bë realitet një investim i shumë pritur prej tyre, në dekada.

Ata shpresojnë që kjo vepër të rikthejë në Lurë edhe ata që janë larguar vite më parë dhe të vijnë e të investojnë në vendlindjen e tyre.

“Jam banor i Lurës edhe i Tiranës. Tani që u bë rruga. Unë kam ikur nga Tirana, kam vendosur letrat këtu”, tha një prej banorëve.

Kryetari i Bashkisë Dibër, Rrahim Spahiu tha se asfaltimi i rrugës do t’i japë zhvillim Lurës duke kontribuar në rritjen e turizmit natyror e malor për të cilin kjo zonë karakterizohet.

Asfaltimi i plotë i të dy segmenteve të rrugës së Lurës pritet të mbyllet brenda muajit Nëntor të këtij viti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb