Për herë të parë në Shqipëri u mbajt samiti i kriptomonedhave, që ndryshe njihet si monedha virtuale, vlera e së cilës ndryshon në varësi të kërkesës në bursë. Organizatori Fatjon Dajçi theksoi se WEB3 është e ardhmja dhe një mundësi për zhvillimin rajonal.
Universiteti “Luarasi” është partner në këtë event. Pedagogia e këtij universiteti, Denisa Kele, tregon rëndësinë që ka informimi i studentëve rreth kriptomonedhave.
“Balkans Crypto 2025 bashkon ndërtues, themelues, politikëbërës dhe investitorë nga e gjithë bota, jo vetëm për të diskutuar të ardhmen e teknologjisë së decentralizuar, por edhe për të ripërcaktuar se ku ndërtohet kjo e ardhme”, tha ajo.
Nick Spanos, themelues në bursën e kriptomonedhave në New York, mendon se Shqipëria është vend ku ka liri që kriptoja të ecë përpara.
“Mendoj se në Ballkan dhe në veçanti në Shqipëri ka mjaftueshëm liri që kriptoja të ecë përpara. Prandaj ndodhem në këtë vend, për të folur rreth kësaj teme dhe për të ndihmuar se çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk duhet bërë, veçanërisht nga perspektiva rregullatore. Sapo jam kthyer nga një konferencë në Las Vegas, ku foli edhe zëvendëspresidenti. Gjithashtu i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zoti Adams, ku mbajti një fjalim. Vende të BE-së kanë disa kufizime për t’i bërë gjërat të rriten në këtë aspekt, por mendoj se Shqipëria ka një avantazh, duke qenë se BE do të duhet kohë që të adaptohet, dhe Shqipëria mund të bëhet një Zvicër e re e Europës pasi të miratojë Bitkoinin dhe kriptomonedhat”, u shpreh Spanos.
Ekspertë të kriptomonedhave, pjesëmarrës në event, thonë gjithashtu se Shqipëria ka shumë potencial për sa i përket kriptomonedhave.
“Shqipëria po ashtu ka një potencial të lartë për t’u bërë si një treg i hapur për kripto. Por që të ndodhë kjo, është e nevojshme adaptimi i legjislacionit dhe rregulloreve të nevojshme që të lëvizin gjërat përpara. Prej informacioneve që kemi, asnjë nga kripto-kompanitë e licencuara në botë nuk ka aplikuar në Shqipëri, dhe kjo do të duhej të shërbente për të filluar punën për të pasur një rregullativë të duhur dhe hapësirë të përshtatshme ligjore”, u shpreh Sandro Slukan, Drejtuesi Rajonal për Ballkanin në Binance.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri, një vend i mrekullueshëm. Kjo është konferenca e parë e kriptomonedhave në Shqipëri. Pres me padurim që të ndjek konferencën e vitit të ardhshëm, sepse do të ketë më shumë njerëz. Shqipëria ka shumë potencial sa i përket kriptos. Nëse nuk vini dot këtë vit në konferencë, mund të vini vitin tjetër”, tha Sink Ray Youssef, drejtues i “NOONES”.
