KORCE– Duke filluar nga sot e deri më 13 gusht, qyteti i Korçës do të presë vizitorë nga vendi dhe të huaj, për t’iu bashkuar aktiviteteve të organizuara në kuadër të Festës së Birrës.

Për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, policia ka marrë një sërë masash.

Eventi për Festën e Birrës 2017 do të zhvillohet nga data 9 deri më 13 gusht përpara Stadiumit “Skënderbeu”, si edhe tek “Pazari i Vjetër”.

Nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, janë marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin e manifestimin sa më normal të saj.

Nga këto struktura do të merren masa për bllokimin e lëvizjes së automjeteve nga vendi i quajtur “Lëndina e Lotëve”, Pallati i Sportit, Qendra e Trajtimit të Studentëve, drejt Unazës së Stadiumit si edhe në rrugën “Niko Kovaçi”. Do të lejohet parkimi vetëm për automjetet e personave apo subjekteve të veçanta të autorizuara nga Bashkia Korçë.

Përgjatë Shesheve dhe Bulevardeve kryesore të qytetit “Republika” dhe “Gjergj Kastrioti”, ku ka përqëndrim dhe qarkullim të madh njerëzish e mjetesh, do të ketë shërbime të shtuara të punonjësve të Policisë, të cilët do të mbikëqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve, si edhe do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme të cilat mund të cënojnë sigurinë publike.

Gjithashtu edhe shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë në gadishmëri të plotë, për disiplinimin e lëvizjes së mjeteve gjatë dhe pas mbarimit të aktivitetit, në kontrollin e vazhdueshëm të drejtuesve të mjeteve me qëllim respektimin e Kodit Rrugor, si edhe shmangien e aksidenteve me pasoja të rënda.

Shërbimet e Rendit, do të kujdesen gjithashtu për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e objekteve me rëndësi të veçantë, si: Nënstacionet Elektrike, Ujësjellësi, etj; për të forcuar masat e ruajtjes së tyre.

Të gjithë qytetarët të cilët ndeshen me probleme apo shqetësime të ndryshme, janë të lutur të telefonojnë tek numri 129 i Policisë së Shtetit.

“Policia e Korçës, duke iu uruar argëtim sa më të këndshëm të gjithë pjesëmarrësve në këtë event festiv, gjen rastin t`iu bëjë thirrje drejtuesve të mjeteve të jenë të kujdesshëm, të shmangin përdorimin e alkolit, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin aparatin telefonik gjatë drejtimit të mjetit, në mënyrë që të mbrojnë jetën e tyre dhe të tjetrit!”, thuhet në njoftimin e policisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: