Ministria e Kulturës e Mbretërisë së Arabisë Saudite ka çelur në Tiranë, Javën Kulturore Saudite. Vegla muzikore, artizanati, tekstili, kaligrafia, përvojat kulinare, kafenë, punime enësh prej balte, thurje me gjethe palmash dhe punime druri u ekspozuan bashkë me ilustrimin e disa proceseve.

Për pesë ditë me radhë, paraqitet një tablo e gjallë e trashëgimisë kulturore, pasurisë civilizuese dhe shumëllojshmërinë krijuese që e karakterizojnë Mbretërinë. Kultura saudite, e rrënjosur në histori të lashta, është formësuar nëpërmjet një ndërveprimi të begatë kulturor. Ajo mishëron larminë e mjediseve gjeografike dhe shoqërore të Mbretërisë, të shprehur përmes muzikës dhe folklorit, poezisë e letërsisë, arkitekturës së veçantë dhe zejeve tradicionale. Ky mozaik i pasur, ku ndërthuren autenticiteti dhe diversiteti, përbën shprehjen e një identiteti kombëtar unik.

Ndërsa një instalacion multisensorial kombinonte motive artistike saudite dhe shqiptare në një vepër arti në shkallë të madhe, shoqëruar me një skenë tingujsh që përfshinte ritmet e Al-Ardah dhe muzikën tradicionale shqiptare si Valle dhe Kaba, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja foli për bashkëpunimet.

“Për herë të parë në Shqipëri, krijohet një panair i plotë, një instalacion imersiv si ky ku ndodhemi sot, që na fton të zbulojmë thellësinë e kulturës saudite. Nuk është thjesht një ekspozitë apo një panair, por një udhëtim që na udhëheqnga traditat më të lashta te inovacionet më revolucionare të vizionit 2030 të Arabisë Saudite. Vendet tona kaq larg në kilometra, por duket qartazi nga vizionet e përbashkëta për pesë-vjecarin e ardhshëm se janë pranë në synimet për zhvillim, për dialog, për shkëmbim kulturor dhe turizëm elitar”.

Java kulturore e Arabisë mbahet në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb