Pas përfundimit të procesit të votimit në mesnatë dhe hyrjes në datën 12 maj, ka nisur zyrtarisht numërimi i votave në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, ka bërë një denoncim publik në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e News24 duke akuzuar deputetin socialist Erion Braçe.
Këlliçi deklaroi se PD kishte marrë një indicie për ekzistencën e një zyre elektorale të padeklaruar të Partisë Socialiste në territorin e Tiranës. Sipas tij, përfaqësues të PD-së shkuan në vendin e dyshuar për të verifikuar informacionin, dhe në momentin që u pyetën individët që ndodheshin aty, ata u larguan me nxitim, duke marrë me vete çanta, dokumente dhe materiale që përfshinin harta elektorale, lista me emra dhe të dhëna të tjera.
“Pamjet filmike janë tashmë të publikuara në media,” theksoi Këlliçi. Ai shtoi gjithashtu se ndonëse ka respektuar në të kaluarën figura të vjetra të PS si Braçe, theksoi se e ndan qartë atë që ai e quajti “socialistë” nga “rilindasit dhe bandat.”
