Nis sot viti i ri shkollor 2025-2026. Këtë vit në rrethin e Beratit, kanë hapur dyert për vitin e ri arsimor 58 shkolla (9-vjeçare dhe të mesme, publike dhe private). Nga shifrat e këtij viti, të krahasuara me një vit më parë, vihet re një rënie e ndjeshme e numrit të nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, ndërkohë që në rënie ka qenë edhe numri i nxënësve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Sipas shifrave zyrtare, në bankat e shkollave këtë vit do të ulen 4980 nxënës në shkollat publike dhe 860 nxënës në shkollat private. E krahasuar kjo me një vit më parë, kur numri i nxënësve ishte 5500 nxënës në shkollat publike dhe 970 nxënës në shkollat private, duket qartazi se kemi një rënie të numrit të nxënësve.
Në rënie ka qenë këtë vit edhe numri i nxënësve që ulen për herë të parë në bankat e shkollave, numër ky që në këtë vit arsimor 2025-2026 është 376 vogëlushë, ndërkohë që vitin e kaluar ky numër ka qenë 540. Edhe pse kemi pasur këtë vit një rënie të numrit të nxënësve, nga Zyra Arsimore Rajonale Berat nuk raportohet asnjë shkollë e mbyllur.
Edhe këtë vit, do të vijojë në Berat mësimi me dy turne, për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “22 Tetori”, të cilët për shkak të rindërtimit të shkollën nga themeli, do ta zhvillojnë mësimin në ambientet e shkollës së mesme të rindërtuar vjet “Babë Dudë Karbunara”.
Edhe nxënësit e Shkollës së mesme të Bashkuar Lapardha, këtë vit do të shpërndahen për ta zhvilluar mësimin në shkollat e fshatrave Lumas e Otllak, për shkak të fillimit të punimeve për rikonstruksionin e plotë të kësaj shkolle.
Problematike këtë vit vijon të jetë edhe mungesa e shkollës 9-vjeçare në fshatin Donofrosë, ku për të tretin vit radhazi, nxënësit e kësaj zone do ta zhvillojnë mësimin në një lokal të fshatit,të përshtatur në 5 klasa, ndërkohë që shumë nxënës të fshatit Donofrosë dhe fshatrave përreth, të pakënaqur nga kjo gjendje, e zhvillojnë mësimin në një shkollë private në Rroskovec.
