Ka përfunduar takimi mes përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë si dhe Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian Federica Mogherini me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Takimi mes dy personaliteteve u zhvillua në ambientet e hotel “Rogner”, shumë pranë çadrës së protestës të vendosur para kryeministrisë.
Basha tha se Mogherini do të fliste dhe vetë për takimin e tyre, pasi nuk kishte ndërmend të bënte zëdhënësin e saj.
“Do të shprehet vetë, nuk jam këtu të bëj zëdhënësin e saj. Por kauza jonë ka mbështetje nga të gjithë ata të cilët i kanë dashur të mirën Shqipërisë, ata që na kanë shoqëruar në 26 vite tranzicion, ata që e kuptojnë që krimi e droga nuk është pacient me kollë që shërohet me shurup por një pacient me kancer që kërkon operacion të thellë,” tha Basha
Kreu i PD, Basha në bisedën rreth 30-minutëshe me zyrtaren e BE-së, ishte i shoqëruar nga Jorida Tabaku, Aldo Bumçi dhe Oerd Bylykbashi. Mogherini takoi Bashën pas takimit me kryeparlamentarin Ilir Meta.
Pak para takimit me zyrtaren e lartë të BE-së, Federica Mogherni, kryedemokrati Lulzim Basha shuajti të gjitha zërat se ai mund të tërhiqet nga kërkesa e tij për qeveri teknike, sot kur u duk se edhe mazhoranca i shtriu dorën e dialogut.
(e.f/BalkanWeb)
