Ish-deputeti Ervin Salianji ka vijuar turin e takimeve me bazën e mbështetësve të Partisë Demokratike, duke u ndalur ditën e sotme në qytetin e Lezhës, ku u zhvillua një takim me strukturat dhe aktivistët e PD-së.

Fjalimin hapës në këtë takim e mbajti Arbër Kola, anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD). Në fjalën e tij, Kola foli për angazhimin e tij politik dhe për akuzat që, sipas tij, i janë bërë për shkak të pozicionimeve të tij brenda partisë. Ai theksoi se është aktivist dhe anëtar i PD-së, duke mohuar zërat që e kanë quajtur “të shitur” apo “të blerë” dhe në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

“Unë jo vetëm që jam demokrat, por jam edhe biri i një prej themeluesve të PD-së, dega Mirditë. Kam marrë pjesë në qindra organizime, tubime, protesta dhe fushata, të gjitha me një qëllim të përbashkët: largimin e Edi Ramës dhe kthimin e PD-së në pushtet,” u shpreh Kola.

Ai deklaroi se ndodhet në këtë takim për të përcjellë mesazhin e bashkimit dhe të rritjes së mbështetjes për Partinë Demokratike, duke shtuar se sipas tij, ajo që e ka mbajtur peng partinë ka qenë mungesa e përballjes me të vërtetën. Kola theksoi gjithashtu se angazhimi i tij politik ka pasur kosto personale, duke përmendur heqjen e bursës së studimit dhe arrestimin e tij.

Në vijim, ai iu drejtua kryetarit të PD-së, Sali Berisha, duke kujtuar premtimet për fundin e “kryetarokracisë”, njohjen e votës dhe marrjen e përgjegjësisë për humbjet zgjedhore. Kola shprehu se nuk pret më justifikime apo ankesa për vjedhje votash, duke theksuar se, sipas tij, opozita duhet të veprojë për të sjellë ndryshimin.

Sipas Kolës, në një moment kur qeveria, siç u shpreh ai, është e përfshirë në afera dhe korrupsion, opozita duhet të jetë e bashkuar dhe e vendosur për ta rrëzuar atë.

Arbër Kola: 

Doktor, kur u riktheve në 2021, erdhe me një mea culpa, the që do të marrë fund kryetarokracia, the që do të njoh votën, the që do të marrë fund momenti kur kryetari nuk mban përgjegjësi pas humbjeve të njëpasnjëshme.

Për shkak të urtësisë dhe moshës tuaj politike, nuk pres të dëgjoj më mea culpën e radhës dhe të shfajësohesh që Rama vjedh votat. Të njëjtat shprehje i thoshte edhe Luli, Rama vjedh, Rama e mban pushtetin me dhunë. Me këtë logjikë i bie që Rama të rrijë në pushtet sa të dojë ai.

Jo.

Kur Rama është në buzë të greminës, i përlyer me korrupsion dhe afera ne duhet ta rrëzojmë dhe jo të presim që të largohet vetë nga pushteti. Të moçmit e kësaj zone kanë një mallkim, të vdektë fjala. është një mallkim shumë i rëndë. Për fatin tonë të keq, lidershipit të PD ka kohë që fjala është në koma, i ka vdekur me kohë fjala.

Ne të rinjtë duhet të bashkohemi dhe të ngrihemi për t’i rikthyer fjalën PD-së.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb