TIRANE- Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku i pranishëm ishte dhe presidenti Ilir Meta në cilësinë e kryetarit, kreu i Unionit të Gjyqtarëve Gert Hoxha ka dhënë disa detaje nga ky takim. Sipas Hoxhës në këtë takim, përveç çështjes së dhunës në familje, u diskutua edhe mbi vlerësimin e gjyqtarëve. Hoxha pohoi se KLD shprehu gatishmëri për të bërë edhe vlerësimin e gjyqtarëve, në kuadër të ligjit të vettingut.
“Nën drejtimin e presidentit të Republikës, eta, KLD diskutoi një relacion të përgatitur nga inspektorati sa i përket procesit të vlerësimit të gjyqtarëve. KLD shprehu gatishmëri për të ngritur pikat e kontaktit, me ndihmë dhe grupe pune, për të përgatitur aktet e duhura ligjore dhe nënligjore që do rregullojnë modalitet e rivlerësimit e gjyqtarëve. KLD në këtë moment tranzicioni shprehu gatishmëri duke ndihmuar këto komisione që ende nuk kanë filluar nga puna për shkak të disa vështirësive në mënyrë që procesi i vlerësimit të gjyqtarëve të vijojë dhe në këtë mënyrë shqiptarët do të ndihen më të lirë dhe më besimplotë. Ndaj këtyre gjyqtarëve do të hiqet dhe një presion që është i padrejtë”, tha Hoxha.
Teksa u ndal edhe tek çështja kryesore për të cilën ishin mbledhur, dhuna në familje, Hoxha tha se: “U vendos që të krijohet një inspektim tematik për të gjitha gjykatat e vendit. Do vijnë informacione nga të gjitha gjykatat e reja”.
(ed.me/BalkanWeb)
