Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për dënimin me 12 vite burg të ish punonjësit të Shërbimit Informativ Kombëtar, të identifikuar me inicialet H. V.

Ky shtetas në vitin 19997 ka vrarë me armën e shërbimit një efektiv policie.

“Në datë 10.02.1997, shtetasi me iniciale H. V, punonjës i SHIK, ka qenë duke udhëtuar për arsye pune, në segmentin Tiranë – Fushë-Krujë, me kamion tip Benz si pasagjer dhe makina po drejtohej nga shtetasi me iniciale B. Xh, punonjës i SHIK. Ky i fundit ka parakaluar në mënyrë të gabuar duke vënë në rrezik automjetin që drejtohej nga shtetasi A. C, punonjës policie pranë Komisariatit Nr. 4, në Tiranë. Punonjësi i policisë, shtetasi me iniciale A. C i ka ndjekur me makinë dhe i ka ndaluar ata pranë fshatit Tapizë. Ai ka dalë nga automjeti i tij dhe është afruar duke mbajtur në dorë armën e shërbimit tek kamioni ku ndodhej i pandehuri. Ky i fundit e ka qëlluar me automatikun e shërbimit duke e vrarë”, sqaron Apeli dinamikën e ngjarjes.

Njoftimi për mediat: 

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në datë 10.02.1997, shtetasi me iniciale H. V, punonjës i SHIK, ka qenë duke udhëtuar për arsye pune, në segmentin Tiranë – Fushë-Krujë, me kamion tip Benz si pasagjer dhe makina po drejtohej nga shtetasi me iniciale B. Xh, punonjës i SHIK. Ky i fundit ka parakaluar në mënyrë të gabuar duke vënë në rrezik automjetin që drejtohej nga shtetasi A. C, punonjës policie pranë Komisariatit Nr. 4, në Tiranë. Punonjësi i policisë, shtetasi me iniciale A. C i ka ndjekur me makinë dhe i ka ndaluar ata pranë fshatit Tapizë. Ai ka dalë nga automjeti i tij dhe është afruar duke mbajtur në dorë armën e shërbimit tek kamioni ku ndodhej i pandehuri. Ky i fundit e ka qëlluar me automatikun e shërbimit duke e vrarë.

i. Po në datë 10.02.1997, i pandehuri H. V është arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr. 546 Akti, datë 12.02.1997, i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, duke u siguruar i pandehuri në repartin 313 Tiranë.
ii. Me vendimin e datës 24.02.1997 të pandehurit H. V i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, kryer në bashkëpunim me shtetasin B. Xh parashikuar nga neni 76-22 të Kodit Penal.
iii. Me vendimin datë 26.02.1997 është vendosur pushimi i akuzës ndaj shtetasit B. Xh. Më datë 13.03.1997 i pandehuri H. V i paraburgosur pranë Burgut të Tiranës është larguar nga ky institucion së bashku me të burgosurit e tjerë për shkak të shpërthimit të burgjeve në Shqipëri.
iv. Më datë 05.06.1997, është vendosur pushimi i çështjes penale nga Prokuroria e Rrethit Tiranë ndaj të pandehurit H. V, me arsyetimin se vepra ka ndodhur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.
v. Me vendimin Nr. 34, datë 31.03.1998, Prokurori i Përgjithshëm ka vendosur anulimin e vendimit të pushimit të çështjes penale të vitit 1997 dhe rifillimin e hetimeve për këtë çështje penale, në ngarkim të të pandehurit H.V. Në vijim, kjo çështje ka kaluar për gjykim.

• Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin Nr. 35 Akti, datë 23.05.2000 ka vendosur:

-Të deklarojë fajtor të pandehurin H. V për veprën penale “Vrasjes me dashje”, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, parashikuar nga neni 79/1 germa “c” të Kodit Penal, të dënohet me burgim të përjetshëm.
-Vuajtja e dënimit t’i fillojë nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi.

Ndaj këtij vendimi ka ushtruar ankim i pandehuri me iniciale H. V, i cili ka kërkuar prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes, pasi nuk vërtetohet fajësia.

• Me vendimin Nr. 530, datë 06.12.2000, Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur:

-Mospranimin e ankimit kundër vendimit penal Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Krujë.

Në zbatim të vendimit Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, është bërë arrestimi i të pandehurit me iniciale H. V dhe ekstradimi i tij nga shteti anglez.

• Mbi bazën e kërkesës për “Rivendosje në afat” të të dënuarit H. V, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin Nr. 91 Akti, datë 22.06.2015 ka vendosur:

-Rivendosjen në afat të palës kërkuese H. V, për të bërë ankim kundër vendimin Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

I pandehuri H. V ka paraqitur ankim, kundër vendimit Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, duke kërkuar ndryshimin e vendimit dhe deklarimin e pafajshëm të tij.

• Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë pasi shqyrtoi ankimin nga i pandehuri H. V, me vendimin nr. 152 , datë 10.02.2017 vendosi:

-Lënien në fuqi të vendimit Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë me këtë plotësim:
Vuajtja e dënimit të bëhet në burg të sigurisë së lartë”.
Ndaj vendimit të lartpërmendur, ka paraqitur rekurs i pandehuri H. V, i cili ka kërkuar prishjen e vendimit Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe vendimit Nr. 152, datë 10.02.2017 të Gjykatës së Apelit Tiranë, si dhe kthimin e akteve për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë.
• Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin Nr. 317, datë 24.11.2022 ka vendosur:
-Prishjen e vendimit Nr. 152, datë 10.02.2017 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, me tjetër trup gjykues.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale H. V, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, parashikuar nga neni 79/1 germa “c” të Kodit Penal.

• Në përfundim të rigjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin Nr. 2649, datë 08.11.2023 ka vendosur:
-Deklarimin fajtor të të pandehurit H. V, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 18 (tetëmbëdhjetë) vite burgim.
-Dënimi i mbetur të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:

– Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit Nr. 2649, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë, duke vendosur ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale të kryer nga i pandehuri me iniciale H. V nga “Vrasje me dashje” e parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në “Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, parashikuar nga neni 79 /1/c i K. Penal (ligji i kohës) dhe dënimin e të pandehurit sipas ligjit.

– Nga i pandehuri me iniciale H. V, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit Nr.2649, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë, duke vendosur:
• Pafajësinë e të pandehurit në lidhje me veprën penale të “Vrasjes me dashje” , parashikuar nga neni 76 i K. Penal apo të ndonjë vepre penale më të rëndë se kjo.
• Pafajësinë e të pandehurit për çdo vepër penale të kryer me dashje.
• Në alternativë deklarimin fajtor të të pandehurit për njërën nga veprat penale të kryera nga pakujdesia, respektivisht: Atë të parashikuar nga neni 83 i K. Penal dhe ajo e parashikuar nga neni 85 i K.penal;

duke aplikuar nenin 406/1 të K.Pr. Penale në lidhje me masën e dënimit.
Në përfundim të gjykimit, më datë 06.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtarë Znj. Edlira Petri dhe Znj. Marsela Pepi, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit Nr. 2649, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, lidhur me cilësimin ligjor të veprës penale dhe dënimin e caktuar ndaj të pandehurit H. V.
– Aplikimin e nenit 406/1 të K.Pr. Penale duke i ulur me 1/3 (një të tretën) masën e dënimit dhe duke e dënuar përfundimisht të pandehurin H. V me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
– Ngarkohet Prokuroria për llogaritjen e dënimit të vuajtur nga i pandehuri H. V dhe ekzekutimin e këtij vendimi.

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: