Duke filluar nga data e sotme, 7 tetor, bankat shqiptare do të fillojnë ofrimin e transfertave në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Në ceremoninë për prezantimin e transaksioneve, Ambasadori i BE Silvio Gonzato ka deklaruar se arritja e integrimit të Shqipërisë në tregun SEPA, është arritur pas një procesi të gjatë dhe sfidues.
“Ishte një proces i gjatë dhe sfidues, kërkoi angazhim nga sektori banker shqiptar dhe institucionet shqiptare që të përmbusheshin standardet, përfshirë luftën në pastrimin e parave.
Ne e dimë sa e rëndësishme është të tregojmë përfitime të prekshme për shqiptarët, sepse shpesh këto kërkojnë kohë të arrihen. Sot është një ditë shumë e rëndësishme sepse shqiptarët ndjehen të barabartë me qytetarët e BE sepse transaksionet do të jetë më të thjeshta, të lira, efikase.
Kur angazhimet politike ndiqen me përpikmëri sjellin përfitime për qytetarët.
Procesi i anëtarësimit në SEPA kërkon angazhim nga autoritetet shqiptare dhe bankat, dhe muaj të tërë negociatash.
Të gjitha përpjekjet çuan në këtë arritje strategjike në integrimin e Shqipërisë në tregun unik të BE-së”, tha ai.
