*Hafizi i përgjigjet Dodës: Opinioni i PDIU-së  s’mund të quhet nismë për ndryshime kushtetuese

TIRANE – Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda akuzon deputetët Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, për kopjimin e iniciativës së Partisë për Drejtësi dhe Unitet, për zgjedhjen e presidentit nga populli.
Pasi deputetët shpallën nismën për ndryshimet kushtetuese, deputetja Doda reagoi në faqen e saj në “Facebook”, ku pretendon se Hafizi dhe Blushi kanë bërë një plagjiaturë të pastër të iniciativës së PDIU-së , bërë 6 muaj më parë.
Me ironi, Doda shkruan se “PDIU ka propozuar edhe një zonë zgjedhore për diasporën. Futeni edhe atë po e patët me merak…”

REAGIMI I PLOTE I DEPUTETES DODA
Plagjaturë politike
Përfundimish politika shqiptare, edhe ai segment që mëton të shfaqet si risi, del më i përçudnuar se pjesa më e keqe e politikës tradicionale. Jam më shumë se e habitur dhe thellësisht e zhgënjyer me propozimin e sotëm të iniciuar nga një grup deputetësh, mes të cilëve dhe kolegët Hafizi e Blushi si iniciatorë të kësaj inisiative, pasi ngjarja po merr formën e pastër të një kopjo të bërë keq, të një plagjature të pastër të iniciativës së PDIU bërë këtu e 6 muaj më parë.


Pas propozimit të bërë për President nga populli komunikova me kolegen time Hafizi, me të cilën më lidh një histori e përbashkët suksesi në fuqizimin e gruas në politikë dhe i shpjegova që është një amendament i depozituar tashmë në Parlament nga PDIU dhe do mund ta çonim përpara nëse do i shtohej edhe mbështetja e tyre pranë Komisionit të Reformës Kushtetuese. Më kërkoi materialin e depozituar prej nesh dhe ja nisa me shpresë se do mund të na bashkoheshin edhe zëra të tjerë në një propozim kaq të rëndësishëm…Sot shoh e habitur që propozimit të tyre të vjetër i është shtuar edhe një nen tjetër që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës me firma nga populli, kërkesë edhe kjo që bën pjesë në propozimet tona…këtu unë jam pa fjalë…plagjaturë e pastër që i shtohet plagjaturës së parë dhe pa minimumin etik as të njoftimit për atë që morën nga material i PDIU. Gjatë karrierës sime në politikë kam parë shpesh akte të shëmtuara e mediokre në politikë por nuk e imagjinoja kurrë që këtë ta shkruaja për një grup njerzish qe vijnë në emër të ndryshimit të politikës e për disa prej të cilëve kam ushqyer respekt më shumë se i zakonshmi. E kuptoj që talenti nuk është dhunti që e kanë të gjithë, ndërsa kopjaceria akt etikisht i papranueshëm, por që mund ta ushtrojë gjithkush që don të arrijë në tronditjen publike dhe marrjen më cdo kusht të një suksesi, në këtë rast të një pjese njerzish dhe votuesish. Por ka një rregull në botën akademike dhe në këtë tonën…vëri posht emrin e vërtetë idesë së paraqitur.
PDIU do vazhdojë të sjellë vizionin e saj në skenën poltike shqiptare, vizion që për fat të mirë sot po tregohet largpamës e i suksesshëm. Folëm për referendum të parët dhe depozituam një akt zyrtar, sot gjithë klasa politike dhe ndërkombtarët flasin për referendumin si e vetmja mundësi për të zgjidhur nyjen gordiane ku ka ngecur Reforma në Drejtësi. Folëm për mosndryshimin e nenit që i hap rrugë ndryshimit të Kodit të Familjes,… sot këtë kërkesë e kanë përqafuar shumica e deputetëve të Parlamentit dhe opinionit publik. Kërkuam mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës me firma nga populli dhe ja ku e kemi edhe këtë sot kërkesë të në grupi deputetësh, kërkuam zgjedhjen e Presidentit nga populli dhe ja ku erdhi dhe ky propozim i shitur si risi që do trondisë sistemin…thënë ndryshe kur të keni nevojë të mësoni se si bëhet politikë e mirë, pozitive dhe me vizion hajdeni se jua mëson PDIU. Kemi vetëm një kusht, vini poshtë emrin nga ku e keni marrë, thjesht për ndershmëri intelektuale pasi PDIU nuk e ka këtë problem sepse është mësuar me arrogancën hipokrite të të vegjëlve që veshin bluza partish të mëdha.
P.S. kemi kërkuar edhe një zonë zgjedhore për diasporën. Futeni edhe atë po e patët me merak…

HAFIZI I PËRGJIGJET DODËS: OPINIONI JUAJ S’MUND TË QUHET NISMË PËR NDRYSHIME KUSHTETUESE
Deputetja Mimoza Hafizi reagoi pas pretendimeve të deputetes Mesila Doda për kopjimin e  iniciativës së PDIU-së për zgjedhjen e presidentit nga populli. Në një sqarim në faqen e saj në “Facebook”, Mimoza Hafizi thekson se është njohur me opinionin e PDIU-së, por sipas saj, një opinion nuk mund që quhet nismë për ndryshime kushtetuese.

“Jam njohur me opinionin e PDIU për ndryshime kushtetuese dorëzuar pranë Komisionit të Reformës për Drejtësi. Por një opinion nuk mund të quhet nismë për ndryshime kushtetuese. Ai opinion nuk do të ketë asnjëherë vijim në procedura, nëse nuk merr formën e një projektligji dhe nëse nuk kërkohet mbështetja e deputetëve të tjerë të parlamentit. Prandaj kam komunikuar me deputetë të kësaj force politike, me shpresë që të bashkojmë firmat dhe votat për të realizuar bashkërisht kërkesën për zgjedhjen e presidentit nga populli. Versioni i tyre ishte i ndryshëm nga ai çfarë ne propozojmë, sepse kërkohej që t’i drejtohemi popullit atëherë kur parlamenti nuk realizon votimin me 3/5. Por mendoj se kjo nuk është pengesë themelore. Besoj se jo vetëm me grupin e PDIU, por me të gjitha grupet parlamentare do konvergjohet për të shkuar në atë çfarë është shumë e rëndësishme për demokracinë sot: zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli.”- shkruan Hafizi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: