Kryetari i “Nisma Thurje”, Endrit Shabani, përmes një lidhje live me skype në rubrikën “Opinion” në News24, foli për nismën për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Shabani argumentoi pse sistemi zgjedhor duhet ndryshuar, teksa u shpreh se referendumi i fundit ka qenë ai i vitit 1998. Sakaq ai zbardhi propozimet e reja, ajo e së drejtës së votës për 16-vjeçarët, pasi për aq kohë sa mund të mbajë përgjegjësi penale, mund të mbajnë dhe atë politike.

“Kjo kërkesë u depozitua tani pasi kemi një kuadër ligjor për referendum të ngushtë. Referendumi i fundit ka qenë në vitin 1998, nëse kujtojmë. Thelbi është a duhet sot që ne të ndryshojë sistemin zgjedhor? Këto zgjedhje vërtetuan që këtu ka një lum të madh pakënaqësie që u është vendosur një digë që është sistemi zgjedhor. Ky sistem zgjedhor është arsyeja e transformimit të elitave në vend. Raportet e demokracisë dhe korrupsionit tregojnë se vendi po shkon drejt regresit, pasi pushteti është përqendruar në pak duar. Nga këtu lindin shumë probleme ekonomike he politike që kemi sot. Populli racional, i lirë është më i madh se votuesit e Ramës, Berishës apo Metës. Për njerëzit që duan ndryshim janë shumica, nëse ndodh e kundërta, referendum do e konfirmojë.

Në 2017 dhe 2021, PS nuk ka marrë 50% të votave, por më pak. Një sistem proporcional si ai i Kosovës, apo ai që propozojmë ne, do të bënte që PS të ishte sot në opozitë. Ky vendim, në vend që ti mbetet popullit për të vendosur, vendoset nga pushtetarët. Populli ka të drejtë të zgjedhë sistemin zgjedhor që ata mendojnë se është më demokratik.
Ne nuk duam që ky vendim të merret në Parlament, por të merret nga populli. Na mjaftojnë 28 deputetët ose 50 mijë qytetarë me të drejtë vote. Numri i atyre që përfitojnë është më i lartë se 28. Çfarë do lloj loje që të bëjnë ata në Parlament, garancia më e madhe është firma e qytetarëve.

Ne na leverdis një sistem më i drejtë zgjedhor. Ndarja rajonale e bërë në mënyrë artificiale është një ndër problemet e sistemit. Kjo është antikushtetuese. Të drejtë votimi duhet të kenë dhe shqiptarët e diasporës të cilët kontribuojnë për vendin.
Një 16-vjeçar mund të mbajë përgjegjësi penale, pse të mos ketë edhe përgjegjësi politike? Nuk ka asnjë arsye pse të mos i lejmë për të votuar.”, u shpreh Shabani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb