I jashtëzakonshëm, dominues, historik. Johanes Hosflot Klaebo vazhdon të shkruajë emrin me germa të arta në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore. Pasi u shpall sportisti me më shumë medalje ari në këtë kompeticion, norvegjezi nuk ka ndërmend të ndalet dhe tashmë synon të thyejë çdo kufi të mundshëm.

Klaebo udhëhoqi Norvegjinë drejt triumfit në sprintin ekipor, duke mbajtur gjallë objektivin e tij ambicioz: fitimin e të gjitha garave në programin e Olimpiada Dimërore “Milano-Cortina 2026”. Së bashku me shokun e skuadrës, Erik Valnes, ai la pas SHBA-në dhe Italinë, duke shtuar një tjetër kapitull të artë në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

Fenomeni norvegjez ka fituar 5 medalje ari në po aq gara në këto Lojëra: skiatlon (10 km stil klasik + 10 km stil i lirë), sprintin individual në stil klasik, 10 km me nisje me interval në stil të lirë, stafetën dhe tashmë sprintin ekipor në stil të lirë. Një dominim absolut. Tani mbetet vetëm “gara mbretëreshë”, 50 kilometrat, që do të zhvillohen të dielën dhe do të mbyllin programin e garave. Një tjetër fitore do të nënkuptonte 6 medalje ari në 6 gara, një arritje që për shumëkënd duket e pamundur, por jo për Klaebon.

Në total, ai numëron tashmë 10 medalje ari olimpike: sukseset në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, në “Pekin 2022” dhe pesë triumfet e deritanishme në “MilanoCortina 2026”. Këtyre u shtohen edhe një medalje argjendi në stafetën e “Pekinit 2022” dhe një bronz në garën 15 km katër vite më parë. Të dielën, ai do të kërkojë të artën e 11-të. Tashmë, ai që për shumëkënd duket si “alien” i borës, ka vendosur një standard të ri në historinë e sporteve dimërore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb