Mungesa e transparencës në vendimmarrjen e Apelimi Tatimor po krijon, sipas avokatit Erjon Kanxheri, një terren të pasigurt për bizneset dhe standarde të ndryshme në trajtimin e çështjeve tatimore.
Në “Studio 24”, Kanxheri shpjegoi se procedurat e ankimimit kanë ndryshuar ndër vite. “Më përpara, për të ankimuar një detyrim, duhej të paguaje jo vetëm principalin, por edhe gjobën dhe kamatëvonesën. Më pas çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese dhe ligji u ndryshua. Sot paguhet detyrimi duke u bllokuar dhe më pas ankimohet”, shprehet ai.
Por sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron vetëm te procedura, por te mungesa e një standardi të unifikuar kontrolli. “Një fenomen i caktuar mund të trajtohet ndryshe nga një inspektor në Tiranë dhe ndryshe nga një në Lushnje apo Korçë. Nuk ka një standard të qartë dhe të njëtrajtshëm”, thekson avokati.
Sipas Kanxherit, pikërisht këtu hyn në lojë roli i Apelimit Tatimor, i cili duhet të garantojë uniformitet në vendimmarrje. Por, ai ngre pyetjen: pse nuk publikohen vendimet? Sipas avokatit, kjo mungesë transparence krijon hapësirë për interpretime subjektive dhe lë terren që inspektori “të bëjë çfarë të dojë”, duke cenuar sigurinë juridike të bizneseve.
Erjon Kanxheri: Më përpara, që të ankimoje detyrimin duhet të paguaje gjobën por edhe kamatëvonesën. Pastaj çështja u shtyrua në GJK, u ndryshua ligji dhe u arrit në një zgjidhje që do të paguash detyrimin, duke e bllokuar dhe pastaj do e ankimosh.
Ku është çelësi?
Nëse ti sheh organin tatimor, shih standardin e kontrollit, një fenomen i caktuar si trajtohet nga një inspektor në Tiranë dhe nga një në Lushnje, Shkodër, Korçë e me radhë, nuk ka një standard.
Dhe ajo që e bën më problematike çështjen, nëse shkon në apelimin tatimor dhe kërkon të kesh një uniformitet dhe logjikë të njëtrajtshme të trajtimit të çështjeve…
Dhe që ta kuptosh këtë gjë, duhet të shohësh vendimmarrjen e tyre në vite. Pse nuk publikohen vendimet? Apelimi Tatimor nuk i publikon vendimet. Sepse po t’i publikojë do të thotë që ti në një biznes të caktuar e ke ulur këtë detyrim ose e ke shuar dhe një tjetër e trajton ndryshe. Dhe këtu, inspektori bën çfarë të dojë.
