Me 15 gola të shënuar në 11 javë, Juve ka sulmin e dytë më të dobët në 10 vendet e para në Serie A. Shifrat flasin qartë, problemi kryesor i Spallettit këtë sezon është faza ofensive, për këtë arsye në janar stafi drejtues e ka të qartë se ku duhet të investojnë. Sigurisht, Spalletti kërkon nga një përforcim cilësorë në çdo repart, por prioriteti absolut është gjetja e një sulmuesi të ri, në një kohë kur golashënuesi më i mirë i ekipit është një mbrojtës si Bremer, me braziliani që ka shënuar 3 gola.

Mediat italiane shkruajnë se në vendin e parë, në listën e dëshirave është Balogun, por përcaktues në këto negociata është kërkesa ekonomike e Monakos.

E hapur mbetet edhe pista Sorloth, për më tepër që Juve ka një raport të mirë me Atletico Madrid, por edhe në këtë pikë diferencën e bëjnë kushtet ekonomike.

Emri i fundit që ka dalë në skenë është ai i Mateo Retegui-t, aktualisht pjesë e Al-Qadisiyya. Sulmuesi italian nuk është kundër një rikthimi në Serie A, me shpresën që të sigurojë një vend edhe në ekipin përfaqësues.

Spalletti pret me çdo kusht një sulmues të ri në janar, dhe për t’i plotësuar këtë dëshirë, drejtuesit e Juves mund të sakrifikojnë Edon Zhegrovën. Sulmuesi dardan nuk bën pjesë në planet e Spallettit, ky është një fakt i pakthyeshëm dhe “Zonja e Vjetër” pritet ta nxjerrë në shitje për të minimizuar kostot e blerjes së një sulmuesi të ri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb