Shënohen sot 10 vjet nga nisja e krizës financiare botërore që ndryshoi kënvështrimin rreth ekonomisë dhe financave. Ishte 15 shtatori i vitit 2008 kur një prej institucioneve kryesore financiare Lehman Brothers shpalli falimentin duke nxitur një krizë financiare edhe më të rëndë se ajo e depresionit të madh të vitit 1929-1930.

Një dekadë më vonë, rënia e Lehman Brothers dhe recesioni global që pasoi vazhdojnë të ndikojnë gjithçka që nga politika e deri tek situata sociale. Ajo që fillimisht ishte një krizë financiare u shndërrua në një krizë bankare dhe një krizë borxhi duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonomi. Edhe pse kriza ekonomike e pati zanafillën në Shtetet e Bashkuara, ky vend ishte i pari që e tejkaloi situatën e vështirë dhe sot niveli i papunësisë ka shënuar rënie të ndjeshme, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Europën e cila vijon të vuajë pasojat, veçanërisht Greqia e cila vetëm në muajin gusht njoftoi se e kishte kaluar krizën pas një sërë masash të forta ekonomike nxitur nga Fondi Monetar Ndërkombetar dhe Bashkimi Europian.

Ndikimi më i dukshëm politik i krizës financiare ishte humbja e besimit tek i ashtuquajturi establishment apo politika tradicionale. Zemërimi ndaj paketave të kursimit i hapi derën politikave më radikale të forcave të së djathtës dhe të majtës ekstreme. Premtimi i Trump për “ta tharë moçalishten” bëri që votuesit të tejngopen me ndikimin e Wall Street në politikat e Washngtonit duke i dhënë besimin një biznemesni i cili gjatë fushatës doli përtej kornizës duke thënë gjërat që njerëzit e dëshpëruar duan të dëgjojnë.

Në Europë situata mjaft e rëndë financiare që goditi kryesisht shtresën e mesme bëri që në pushtet të vijnë forcat ekstreme. Pasojat sociale gjithashtu ishin të mëdha. Gjatë kësaj dekade që prej nisjes së recesionit, numri i lindjeve ra në mënyrë të ndjeshme veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë.

Familjet e vogla zëvendësuan familjet me shumë fëmijë për të shmangur pasiguritë ekonomike edhe pse demografët kanë lëshuar alarmin se hendeku po zgjerohet në mënyrë të ndjeshme duke bërë që numri i pensionistëve të rritet. Kriza financiare gjithashtu ka dëmtuar besimin tek njëri tjetri. Sipas një studimi vetëm 19 përqind e të anketuarve bien dakord me shprehjen se në përgjithësi, shumica e njerëzve mund të besohen krahasuar me 31 përqind që e bësonin këtë shprehje përpara nisjes së recesionit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb