Pas rreth 25 vitesh negociata dhe miratimit të saj me shumicë të ngushtë nga shtetet anëtare të BE-së, marrëveshja tregtare BE–Mercosur hasi një pengesë të re. Të mërkurën, Parlamenti Evropian vendosi me një shumicë minimale ta referojë draft-marrëveshjen në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, për të shqyrtuar bazën e saj ligjore. Rasti i Mercosur ishte i vështirë që në fillim. Për miratimin e marrëveshjes kërkohej një shumicë e kualifikuar prej të paktën 15 shtetesh anëtare që përfaqësonin 65% të popullsisë së BE-së, duke e bërë vendimtare qëndrimin e vendeve si Italia, Franca dhe Polonia. Edhe pse më 9 janar shumica u arrit, shumë eurodeputetë kishin paralajmëruar se do ta çonin çështjen në gjykatë, gjë që tashmë u konkretizua.
Marrëveshja, e cila është kthyer në “flamur të kuq” për fermerët dhe blegtorët evropianë – me protesta nga Brukseli e Parisi deri në provincat greke – synon krijimin e një zone të gjerë tregtie të lirë. Ajo do t’i lejonte BE-së të rrisë eksportet e pijeve, makinave dhe makinerive drejt vendeve të Mercosur (Brazili, Argjentina, Uruguai dhe Paraguai), një treg prej rreth 780 milionë konsumatorësh.
Nga ana tjetër, marrëveshja do të lehtësonte hyrjen në tregun evropian të produkteve si mishi i viçit, sheqeri, orizi, mjalti dhe soja nga Amerika Latine. Kjo perspektivë shqetëson fermerët evropianë, të cilët theksojnë se nuk mund të konkurrojnë me kostot më të ulëta të prodhimit në këto vende.
Për shkak të strukturës së ndryshme të ekonomive kombëtare, shtete me prodhim të fortë bujqësor si Franca, Polonia dhe Irlanda janë ndër kundërshtarët kryesorë të marrëveshjes. Në të kundërt, Gjermania, Spanja dhe vendet skandinave e mbështesin atë, duke parë mundësi të reja eksporti, veçanërisht në një kohë kur rritet konkurrenca kineze dhe tensionet tregtare me SHBA-në.
Eurogrupet të përçara
Përçarja u reflektua qartë në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Në votimin e së mërkurës, 334 eurodeputetë (50%) votuan pro referimit të marrëveshjes në Gjykatën e Drejtësisë, 324 (48%) kundër, ndërsa 11 abstenuan. Në total votuan 669 eurodeputetë, ndërsa 50 munguan. Nga Partia Popullore Evropiane (PPE), eurogrupi më i madh ku bëjnë pjesë edhe eurodeputetë të djathtë nga vende të ndryshme, 181 nga 188 eurodeputetë morën pjesë në votim, me shumicën që u shprehën kundër dërgimit të marrëveshjes në gjykatë. Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së pritet të jetë përcaktues për fatin e një prej marrëveshjeve më të debatuara tregtare të viteve të fundit.
