…Xhorxhi Vasili, ky i palodhur i qytetit tonë të Sarandës, kaq energjik, së bashku me regjisorin Vangjel Agora na mblodhën te hoteli i Genci Sulos për të promovuar dokumentarin kushtuar muzeut të gjimnazit “Hasan Tahsini”.

Gjimnazi “Hasan Tahsini” ka një histori drite për qytetin. Ai u bë i njohur në Shqipëri për olimpiadat e matematikës dhe nxori nxënës të papërsëritshëm. Viti 1962 ishte viti i çeljes së tij. Të parat klasa nisën në godinën e shkollës 7-vjeçare “Adem Sheme”. Matura ime ishte e katërta për nga radha dhe dy vjet ne i bëmë në godinën e re të gjimnazit. Zot sa kujtime buisin në trurin tim për atë godinë, ato shkallë, atë shesh, ato klasa. Shumë epitete e përcaktime mund të thuhen për këtë gjimnaz si: vatër arsimi e kulture, fidanishte e brezit të ri, dritare e dijes, vendi i ëndrrave të mëdha. Ishte dhe mbetet bukuria, hijeshia dhe vezullimi i qytetit të Sarandës…

Trupa pedagogjike shkëlqente; më së pari dy drejtorët e tij, Vasil Partali, themeluesi i tij me korrektesën shembullore, taktin, urtësinë dhe pastaj gazmori, elokuenti, shkrimtari dhe “kingu” (siç i thoshnin ne), Bardhyl Xhama, i cili i dha krejt gjimnazit frymën e një shpengimi të bukur mësues-nxënës. Ai solli solidaritetin, mendjehapjen dhe dimensionin kulturor, i rrallë për kohën, me aktivitetet sportive, ekskursionet, shfaqjet teatrore, koncertet muzikore, duke luajtur vetë me mësuesit dhe duke marrë pjesë gjithë qejf nëpër to. Bardhyl Xhama shkëlqente për etikën. Prej tij nuk kishe drojën se gjendeshe a bisedoje me “drejtorin”. Assesi jo!

Mes mësuesve nuk më ikën nga mendja Thoma Sharra, që u bë më vonë një nga pedagogët autoritarë e të respektuar të gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës. Ishte një dropullit mendjehapur, evropian i vërtetë. Ai e fitoi shpejt admirimin tonë. I tillë ishte edhe Petraq Truja, mësuesi i fizikës, një djalë i hijshëm vlonjat, truplidhur, që i binte kitarës. Dhe tok me Petraqin qe Xhorxhi Vasili, emblema e gjimnazit dhe e vetë Sarandës, njeri social, i papërtuar, me kontribute të jashtëzakonshme. Në kujtesat e mia flinin paqësisht po njësoj shëmbëlltyrat frymëzuese të Belul Korkutit, nga mësuesit më të ditur të historisë, i njohur me shpotitë dhe mendjemprehtësinë e tij prej labi, nga të parët historianë të Sarandës futur udhës së dijes dhe studimeve shkencore; Tahir Zeneli, një mësues, drejtor dhe shef i seksionit të arsimit me plot merita në historinë e arsimit të rrethit; Pandeli Papa, mësuesi i gjeografisë, me qetësinë dhe mirësinë imponuese; Viktor Dervishi, gati sublim dhe autoritar tok me të urtin Andon Beka të lëndës së kimisë; Llambi Marto i matematikës, i urtë si urtësia; Stavri Katiu i letërsisë me një farë noeklasicizmi në metodologjinë e mësimdhënies dhe atë “ulemi në bankë klasa, marrim katër për sot!…”; Aleko Trandafili, që i binte fisarmonikës dhe krijonte atmosferën e bukur të vallëzimeve spontane e këngëve korale gjatë ekskursioneve; Spiro Koça i fiskulturës, më shumë shok se mësues…

Dhe në këtë aradhe s’mund të mos kujtoja dot një të vdekur të “pavdekshëm”, mësuesin e letërsisë, Petro Çomo. Ishte i jashtëzakonshëm ky njeri me mënyrën e ligjërimit tejet origjinal që kishte. Kurrë nxënësit nuk mungonin në lëndën e tij. Ai e kthente në ART letërsinë. Tejet i ngrohtë, ndonjëherë gjer në vlim. Petro Çomo kishte pasion interpretimin.

Sa shumë emra do doja të përmendja, por listimet janë të pavenda në këtë shënim. Të tjerë e të tjerë bri atyre që përmenda, me dhjetëra, më bujtin sakaq në kokë. Mësuesit Luan Ahmeti e Apostol Nika, Vangjel Diamandi, Vasilika Papagjoni e Niko Kacalidha, Niko Muço dhe Serian Balili, Androkli Naqellari, Shkëndie Kaçupi, Keti Bello e Spiro Llajo, Ilirian Alikaj dhe Qemal Yzeiri i shndërruan lëndët e tyre në laboratore mësimi.

Përparim Musai ishte një metodist i lindur dhe falë përgatitjes së tij u bë më pas pedagog i matematikës në Universitetin e Tiranës. Petrit Stefa, ardhur nga Vlora, që kishte po aq pasion volebojllin dhe u bë trajner i skuadrës “Butrinti”. Në vitin 2012 gjimnazit “Hasan Tahsini” iu dha titulli më i lartë “Kalorës i urdhrit të Flamurit”. Kanë marrë titullin “Mjeshtër i madh” mësuesit Vasil Partali, Xhorxhi Vasili, Petrit Stefa (në basketboll), Niko Kacalidha (në letërsi). Ndjese per mesuesit e rinj, të cilet nuk i njoh dhe mbajnë sot barrën e rëndë të nësimdhënies; ata kanë gjithë respektin e qytetit pë punën e vyer që bëjnë…

Teksa ndiqja dokumentarin, në mendjen time trokisnin pafundësisht emra, fytyra, mësues. Dhe kur ai mbaroi më buisi dëshira që t’i jepja kujtesës sime ca fjalë malli:

– Mësues e pedagogë të mi, të gjallë a të vdekur, ju ishit mësimdhënës fisnikë e të bukur të brezave të shumtë. Ju ishit ata që mbrujtët shpirtrat tanë, që na dhatë dijen dhe krijuat qytetarinë. Ju ishit pjesa e ndritur dhe e butë e qytetit. Përpara jush, qysh nga viti 1917 kur shkolla zuri fill së pari në qytetin tonë, mes klasave, bangave e nxënësve ju dhatë frymën tuaj! Unë vetë u bëra një mësimdhënës. Por ishit ju që më hipët në velierën e dijes dhe më dhatë një rremë. Lundro, më thatë, aq sa pasion, fuqi, mendje e kohë ke. Dhe unë si dhe qindar të tjerë lundruam aq sa mundëm në limeret e dijes. Ju kemi borxh horizontin mësuesit tanë të shtrenjtë, krejt një qiell ju kemi borxh; atë copë udhe të bërë në jetë falë dashurisë dhe përkushtimit tuaj. Ju kemi borxh personalitetin. Dhe në qiellnajën ku ju jeni sot a në këtë tokë tek gëzoni ditët tuaja të mbrame buzë detit, rrethuar nga dashuria dhe respekti, edhe unë dua t’i bashkohem korit të madh të urimit: PAÇI JETË TË BUKUR!”

Paç ditë të bukura Xhorxhi Vasili që na mblodhe në këtë dokumentar për historinë e gjimnazit tonë, gjimnazit HASAN TAHSINI.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: