Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –

‘Nën hijen e Rozafës’                  

Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjtë, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.

                                                        Vijon nga numri i kaluar

E çuditshme! Gjatë torturës, instinkti i vetëmbrojtjes, mbisundonte. Para egërsisë së hetuesit kriminel, të burgosunit bërtasin, fshajnë, kërkojnë mëshirë e derdhin lot, sikur nji sjellje e këtillë, përbënte kanden ma paqësuese të instinktit shtazarak të kriminelëve të kuq. Atëherë, shihej nji buzëqeshje kënaqësie në gojën e ndytë të xhelatëve, shprehje e përmbushjes së nevojës së tyne, të ndieme thellësisht: hakmarrjen kundër armikut. Cili ishte “armiku”? Kushdo qe me faj ose pa faj, kalonte pragun e ferrit dantesk, Sigurimin e Shtetit. Porsa hynte në Sigurim, viktima i nënshtrohej nji procesi barbar të thymjes së vullnetit, me qëndrue i pastër e besnik i vetvetes. Gjithçka, sillej rreth përgatitjes së “procesit”, që merrte përpjesëtime skandaloze, e që shërbente skemën e gjanë të përgatitun nga “shokët lart”.

Sa ma shumë që viktima mbahej në “hetuesi”, i ndamë nga bota e jashtme, aq ma e fortë bahej trysnia fizike e psikologjike nga dy individët që lejoheshin me komunikue: oficeri hetues e, roja e qelive të burgut. Kërkohej rrëfimi i “krimit” e “pendimi”; i pari nuk ekzistonte, i dyti nuk kishte kuptim. Para nji absurdi të këtillë, viktima mbahej “e izolueme”, për nji kohë të gjatë, edhe me vite të tana. “Xhelati”, shpresonte se sa ma shumë i bie derës së qelisë, ku mbahej e mbyllun viktima, sa ma shumë që roja vëzhgonte atë nga dritorja e vogël dhe e shante me fjalët ma të ndyta, aq ma e madhe ishte mundësia që kjo viktimë, të mos jetë në gjendje me ruejtë pastërtinë morale të tijën, e si rrjedhim, të përfundonte në nji landë pa formë, nga e cila Sigurimi, do të ndërtonte “kukullën” e tij, si mbas dëshirës së “shokëve lart”. Asgjësimi moral i viktimës torturueme, ishte nji qëllim kryesor!

Në hetuesi, orët zgjateshin pa mbarim. Më dukej sikur nuk kishin fund. Nganjiherë, oficeri i Sigurimit, ishte gjithçka për mue. Kur e shikojsha në fytyrë e përpiqesha me e njohë sa ma mirë, me e kuptue këtë krijesë monstruoze e me komunikue, me provue padrejtësinë e trajtimit tim, zbulojsha vorfninë e inteligjencës tij, dhe paaftësinë me qenë i lirë në mendime, pamundësinë e tij, me veprue i pamvarun. Atëherë, dëshprimi më kapllonte në nji mënyrë mbytëse, e më dukej sikur isha jo thjesht i lidhun në pranga kambë e duer, por tanësisht si krijesë e gjallë, kisha mbetë në mëshirën e nji qenie, që jo vetëm nuk ishte njerëzore, por edhe e ndërgjegjshme, për rolin e vet si xhelat. “Xhelati”, nuk ishte vetëm nji vegël e makinës shtypëse, motorri i së cilës, vetushqehej me fanatizmin e tij e, të “shokëve lart”. Ai ishte nji kriminel me dashje!

Në këtë atmosferë mbytëse të ndërgjegjeve të fëlliquna, frika “nga shokët lart”, që mbretnonte mbi të gjithë “xhelatët”, thellonte krimin. Aty, zani i ndërgjegjes, kishte heshtë. Nuk kishte vend për guxim, e shpresë se nji ditë, drita do të krijonte nji botë të re, nga kaosi i palëvizshëm ku jetojshim. Larg nga bota e njerëzve, e kundër saj, “ata” punojshin me duer e thoj, për metamorfozën, që do t’i ndrronte ne bisha mishngranëse. Në ditët e para, në mes dy sesionesh torture, e vetëm në qeli, fillova të andrroj mundësitë e ndryshme të shpëtimit: nji tërmet që do të rrënonte burgun e, jepte mundësinë e arratisjes, nji kryengritje që do të na nxirrte nga burgu, nji akt i pabesueshëm i nji roje, që i prekun në zemër, do të na ndihmonte me dalë përjashta…! Sidomos, përpunojsha besimin se në çdo rast, do të prekej ndërgjegja e “botës së lirë” perëndimore, revoltimi i tyne, lajmërimet serioze, përgatitjet ushtarake, e ma në fund, si akti ma humanitar që do të njihte njerëzimi, dhe për këtë isha plotësisht i bindun! – nji ndërhymje drejtpërdrejt, që do të ndryshonte gjendjen, do të dënonte fajtorët, e do të na sillte lirinë…!

Këtu ekzaltohesha aq shumë, sa kthehesha prapë te fillimi, përsëritsha vijën e mendimit, përpunojsha justifikimin moral të ndërhymjes, rreshtojsha nji nga nji, padrejtësitë që kisha dëshmue, ose ndigjue prej të tjerëve, dhe sikur të isha para Gjykatës Universale të Njerëzimit, mbrojsha tezën time e të shokëve të burgosun, akuzojsha shtypësin, tue kërkue më shumë kujdes, atribute e shprehje konkrete e të përshtatshme…! Përsëri, mbushesha me gëzim, e u galdojsha aq shumë, sa më dukej sikur përjashta ndigjojsha, zhurmë lëvizjesh të mëdha, si nji ushtri që marshonte. Nganjiherë, dallojsha thirrje të popullit, që demonstronte për liri, e hymne ushtarake…! E kështu, për orë të gjata, derisa lodhja këpuste fillin e andrrave të mia me sy çelë, e britmat therëse të atyne që torturoheshin në dhomën përbri qelisë sime, më sillte në vete, ose zani i rojës kuqe, që t’ue hapë derën, urdhnonte: “Ngreu derr! Eja me mua”!

Mbas disa orë torture, me tërhiqte rrëshqanë për nji kambë që nga dhoma Nr.15, e më plandoste përsëri në qeli, gjysëm të vdekun. Për sa kohë?! Nuk e dijsha! Kishte kaq kohë, që nuk kisha pa dritën e diellit, e kisha humbë lidhjet me ecjen e kohës. Por, jetojsha ende me andrrat e mia. Ata, andrra më mbajshin të gjallë e, pa u çmendë. Mbas tri ditësh, më prunë përsëri në zyrën e hetuesisë. Oficeri më tha, se kishin daktilografue “thanjet” e mia, e se duhej të firmojsha “proces-verbalin”. I kërkova me e lexue para se të nënshkruejsha. Ai u zemërue: “Nuk ke besim, në pushtetin popullor”?! m’u kërcënue. “Këtu raportohen vetëm thanjet tuaja”! Unë ngula kambë. Ai më dha nji shuplakë në fytyrë, që më ndezi flakë. Heshta, ula kokën, por nuk mora pendën me firmue. Asnjeni nuk foli! Xhelati, mori atëherë kopjen e proces-verbalit, e më tha të firmojsha faqe për faqe. Lexova faqen e parë e firmova. Kur desha të hap faqen e dytë, kuptova se çdo faqe kishte katër kopje tjera, që ai insistoi të firmohen.

Unë kundërshtova. – “Do të firmoj faqet që lexoj”, i thashë me kambëngulje. “Këtu kam të baj me fatin tim, për vjetët e ardhshme. Ky asht dokument me randësi jetësore për mue…”! Oficeri u tërbue. Me nji gjest brutal, tërhoqi letrat nga dora ime e i vuni në tryezë, thirri rojën, e filloi nji monolog me shamjet ma të ndyta: “Ti nuk ke besim te pushteti i popullit…?! Këtu nuk është kuestura e fashizmit…! Këtu janë bijt e popullit…”! Ndërkaq, fytyra i ishte skuqë nga inati e unë kuptova, se nji sesion i ri torture, ishte në përgatitje. Roja e kuqe, pruni nji “jelek” mushemaje, qe ma vunë në trup. Me duer të lidhuna, ata përshkuen nji dru të gjatë nën krahët e mbi gjoksin. Mandej, më ngrejtën të dy kambët e i vendosën në skajet e drunit. Në këtë pozicion, unë u bana si bretkoca në kurriz, si nji dordolec i rrumbullakët me duer e kambë, e kofshë, e të ndenjunat e ekspozueme, sidomos organet gjenitale. – “Do të firmosh?”, më pyeti me inat.- “Due t’a lexoj ma parë…”!, u përgjigja.

Nji breshni shkopijsh, u derdh mbi trupin tim të mbërthyem nga ky “jelek”, por kësaj radhe, përveç britmave nga dhimbjet, nuk fola asnji fjalë. Ai vazhdoi me rrahje, me shamje, me kërcënime. Unë heshta. Ma në fund, urdhnoi të më zgjidhnin, e mbasi u ngrita në kambë, me tha të firmoj, faqet e para të çdo kopje. Pranova! Lexova me kujdes çdo rresht e kuptova se brenda ishin përfshi edhe akuza, që unë kisha refuzue. U gjeta para nji dileme tashma të pazgjidhshme: ose me firmue, ose me pranue torturën. I dërrmuem nga nji trajtim i këtillë, që zgjati plot trembëdhjetë muej me radhë, me ndërpremje të shkurta, nuk kundërshtova. “Do t’i hjedh poshtë para Gjykatës”, mendova me vete. “Shpëto nga torturat, se do të vdesësh në duart e tyne”! Oficeri mori “procesin” e firmuem, urdhnoi rojën të më kthejë në qeli, e u largue. Në qeli, kur roja më tha me mbledhë plaçkat, kuptova, se do të transferohesha.

Me leckat në krah, duart e lidhuna me pranga, e kambët që më dridheshin nga dobësia, fillova ecjen në mes të dy rojeve të armatosuna, nëpër rrugët e errëta të qytetit, derisa arrita në burgun e Kuvendit Françeskan. Më vendosën në nji dhomë me nji fatkeq tjetër. Lëshova ngarkesën mbi dysheme, hapa dyshekun, e rashë mbi të, si i vdekun. Roja më lidhi edhe kambët. Me duar e kambë të lidhuna, fjeta deri në mëngjes. “Shoku” i dhomës, më shikoi me habi. I tregova se isha student. Ai më tha se ishte nga katundi, e se akuzohej për premjen e fijeve telefonike. Betohej, se ishte i pafajshëm. Megjithatë, kishte diçka në këtë djalosh që më shqetësonte. Përvoja në burg e vuajtja, me kishin mësue me qenë shumë i kujdesshëm. Fola pak, e ndiejsha nji nevojë të madhe për gjumë. Kur roja hodhi dy racionet e bukës nga dera në shesh të dhomës, unë isha i fjetun. “Shoku” i kishte marrë, e mbasi kishte ngranë gjysmën e racionit tim, kishte vue gjysmën tjetër, pranë meje…!

U zgjova, gjeta bukën, e hangra pa pyetje. Të nesërmen, kur buka erdhi përsëri, kuptova se racioni i zakonshëm, ishte ma i madh. Por, nuk kishte randësi. Mbas nji natë e nji ditë pa tortura e me gjumë, fillova me marrë veten. Nji ditë ma vonë, mora edhe ushqimin nga familja, e rrobet e pastërta. Nuk më besohej, se periudha shkatërrimtare e torturës, kishte përfundue. Po përgatitej gjykimi, për mue e shokët e mij. Në pritje të torturës, gjatë edhe mbas torturës, kur i gjithë mendimi përqendrohej në rikrijimin e çdo hollësie të orëve të kalueme në dhomën e vuejtjes, ata që u frikësuen njohën frikën e vërtetë, frikën që detyron me heqë dore nga lufta e ndërmarrun, dhe këshillon largimin, ikjen, daljen jashtë botës së rezistencës, ku njerëzit bashkohen me jetue ose me vdek së bashku. Të tjerët, me dhimbjet në trup folën, ndoshta ma shumë se duhej. Por kur tortura pushoj, qoftë edhe për nji ore të vetme, ata gjetën veten të patundun në besimin e tyne, mbushë me urrejtje për “xhelatin”, e me përbuzje për dobësinë e tyne fizike.

Ata ishin material i përgatitun si duhet, për lindjen e ushtarëve të lirisë, ose kriminelëve! Ndryshimi themelor, varej nga besnikëria për dinjitetin njerëzor, nga shpresa e gjallë ndërtuese ose mungesa e saj e urrejtja shkatërruese, nga shikimi në të ardhmen ose, nga jeta me kujtimet e së kaluemes së hidhun, vraga e së cilës, përfundon në plagë të pashërueshme për jetë! Vuejtja pa shpresë përfundimi të pranueshëm, pa shpresë lirimi, e bante jetën të pamundun e, burgun tmerrësisht të padurueshëm. Shpeshherë, më dukej, sikur burgu i vërtetë, nuk ishin të katër muret që këto ditë më ndrydhshin brenda ditë e natë, por frika që kisha se këto katër mure, shënojshin kufizimin e përhershëm, përfundimtar, të hapësinës sime jetësore, dhe se bota mbrapa tyne, në anën tjetër të tyne, nuk ekzistonte përsëri për mue. Aty do të vdisja, e vuejtjet e së kaluemes, vuajtjet e së tashmes, nuk ishin asgja ma shumë, se rrjedhja e natyrshme e jetës sime të pandryshim, deri në vdekje!

Me vdekë gjatë vuejtjeve, ose menjiherë mbas vuejtjeve, ishte tmerri vetë! Vetëm shpresa se jeta nuk do të mbaronte me kaq, dhe se ditë të mbarsuna me “dëshira”, do të ndiqshin kohën e zezë që jetojsha, e do të mundësojshin mbijetesën, do të më ngrejshin moralin, më forcojshin qëndresën, dhe do të më ushqejshin mendjen, me shujtën ma frytdhanëse të njeriut që lufton, vargun e andrrimeve shpeshherë fëmijnore, e megjithatë shpëtimtare e ringjallëse, më mbante gjallë!

Dy javë ma vonë, dy roje të armatosuna më morën gjatë ditës, e më shoqnuen në ndërtesën kryesore të Sigurimit. Hypëm shkallët, që tashti njihsha shumë mirë, trokitëm në derën e zyrës që u hap, e hymë brenda. Mbas nji tryeze të madhe e luksoze, qëndronte “majori”, me të cilin kisha “dialogue” disa muej ma parë. Më tha të ulem në nji karrige para tryezës, urdhnoi rojet të më zgjidhnin duart, më ofroi nji cigare, që nuk e mora, më shikoi me kujdes që nga koka deri në kambë, e me nji za të pasigurt më tha: – “E ndigjove që vdiq Qemal Draçini”? – “Jo”! përgjegja. “Nuk dij gja…ashtu i izoluem si jam unë, nuk ndigjoj veçse kambët e rojes në korridor, e bram-bramin e dyerve të randa, që hapen e mbyllen gjithë natën”, thashe tue ngrejtë sytë, si me dashtë me thanë, “ç’ka tjetër pret prej meje”?! Por nuk ishte e vërtetë. – “Vdiq”! tha. E tue shikue kah dritorja, me duar në xhepa, tundi lehtas kokën, e më la të kuptoj, se nji debat zhvillohej në trunin e tij.

Mandej, me nji gjest të shpejtë u kthye kah unë, e vazhdoi: – “Ashtu e deshti”! me nji theks keqardhje që dallova menjiherë. Tue ndrrue tonin e zanit, vazhdoi: – “Nuk e duroj vuajtjen ma gjatë, vuajtjen e burgut…intelektuali që premtonte…”! Tue më shikue drejt në sy: “Të gjithë ju keni pritë shumë nga ajo, apo jo”?! më tha. – “Po”! përgjigja i dërrmuem nga dhimbja, megjithëse vdekjet në duart e oficerëve të Sigurimit, nuk vijshin të paprituna. Tue ngrejtë kokën, nuk u përmbajta pa thanë: – “Edhe ju zoti major! Të gjithë kemi pritë shumë nga ai. Fliste kaq shumë për të ardhmen, me kaq shpirt e besim në vetvete, saqë na frymëzonte…si të thuesh…nji optimizëm në jetë…”! E me nji buzëqeshje të hidhun që nervozoi majorin, thashë: – “Vdiq Qemali! Shqipnia më duket ma e vorfën…Nuk më bahet me besue…”! – “Akoma, akoma nuk zgjoheni ju?! Hej, hapni sytë! Nuk e shihni se revolucioni po marshon?! S’ka pengesë që na ndalon. Ju, shkollarët borgjezë…juve…do t’ju asgjesojmë…”!

E tue ulë zanin sikur kishte frikë se mos ndigjohet, shtoi: “…e sidomos, ata që premtojnë si ai…”! – “Atëherë, pse nuk thoni qe asht vra Qemali? – Aq budallenj nuk jemi…”! Tue kthye kurrizin vazhdoi: “Ka ngranë sasi të konsiderueshme pluhni DDT, e ka pi ujë…! Pikërisht ashtu si duhet…me vdekë, me dhimbje të mëdha…! S’ka dyshim, që ka qenë plotësisht koshient i aktit vetëvrasës…! Sa për ne…”, tha tue u kthye përsëri kah unë, “Sa për ne…ma mirë kështu…nji armik ma pak…nji ekzekutim ma pak…”! – “Pse ishte caktue për ekzekutim Qemali? – Nuk kishte asnji shpresë për shpëtim, kur e pashë herën e fundit…”! E me nji za të ulët, shtoi: “Unë mendoj, se kishte të drejtë me mendue, ashtu si mendonte…Qemali na njihte mirë…kishte lexue mjaft…ndigjue mjaft…nuk kishte iluzione…e nga druni ose nga plumbi, ai do të përfundonte…”! E me nji të qeshun cinik shtoi: “Duket se u tremb nga druni…Sa për ekzekutim…nuk besoj se trembej. Ishte guximtar…por, tortura…tortura, asht diçka tjetër…”! – “Tortura…”! Pusho!”, më ndërpreu ai.

E me tonin e propagandistit, që flet para nji mbledhje gojëmbyllun, vazhdoi: “Komunistët nuk torturojnë”! sikur donte me qetësue veten. Ulë në karrigen e drunjtë, me kokën varun nga tronditja e vdekjes së Qemalit, e lodhja e plotë fizike, më dukej sikur çdo kockë e trupit të dërrmuem në torturë nga druni i pagdhendun, filloi të më dhimbte përsëri, tue mendue orët e fundit të shokut fatkeq, e nji nevojë e madhe me u shprehë, me bërtitë me za të naltë, më zotnoi. Por, frika e ndëshkimit, ishte ma e madhe në atë vend torture. Megjithatë, gjeta mjaft guxim me thanë: – “Zoti, major! Nuk kam kurajon e nevojshme me dhanë përgjigjen e duhun. Për ma tepër, sa vlen fjala ime sot”? – “Fol”! më tha. “Unë kam ardhë me bisedue me ty, e jo me hetue…! Rolin e hetuesit e kanë të tjerët…! Ti e ke plotësue ‘procesin’. Apo jo”?! më pyeti. – “Po”! i thashë. “Mbas trembëdhjetë muej hetuesie të randë…! Prandej, kjo që tham tashti, në këtë çast, kur flas e mendoj ma qartë se para dy javësh, asht e vërtetë.

Jam unë, si njeri e si student me bindje politike, pak a shumë të përcaktueme. Unë jam për lirinë e të gjithëve, zoti major, edhe të komunistëve. Kjo asht, si të thuesh, filozofia ime. Ma vonë, kur ju te keni plotësue urdhnat e marruna “nga lart”…, nuk do të jem përsëri unë; do të jetë vetëm nji trup plot plagë e dhimbje, që flet me shpresë, se plagë e dhimbje të mëtejshme, mund të evitohen…! Unë nuk jam ma përgjegjës për fjalët që detyrohem me folë…”! E tue shikue drejt e në sy, shtova: – “Zoti major, procesi im, asht procesi i nji trupi të derrmuem e plot plagë…, duhet ta besoni”! Ai u pre për nji çast, jo sepse nuk e dinte këtë të vërtetë, por nga fjala ime e hapun. U mendue pak, e u përgjegj: – “Sidoqoftë, na përmbushim nji detyrë, nji detyrë që i shërben nji procesi historik, që na drejtojmë, e që përfundon atje ku dëshirojmë. Asgja tjetër, ka ma randësi për ne sot…natyrisht, as jeta e nji krimbi si je ti sot…”! – “Nji krimb që mendon, megjithatë”, përgjigja i fyem. – “He! Prandej je nji krimb i damshëm”. “Sikur…! – Sikur të mos mendojsha”? – “Nuk do të ishe këtu…ndoshta”. – “Por, a do të isha nji krimb … i lirë”? thashë me gjysëm zani. – “I lirë…! Të dogji liria! Do të ishe nji krimb si tjerët…”!

“Që nuk hapin gojën…, ose që nuk pushojnë së përsërituni litanitë e besimit të rij…”!  – “Të paktën, ata po ushqehen me idenë e nji të ardhme ma të mirë…”! “Cila ka qenë e kaluemja e tyne”? – “Nji boshllëk, keni të drejtë”! “Por unë nuk kam dyshim, se edhe e tashmja nuk i frymëzon ma shumë. Në qoftë se përpara kishin humbë shpresën e nji jetë ma të mirë,….sot frikësohen për vetë jetën që kanë…! Si mund të shpresojë për të ardhmen, ai që mund të vdesë në çdo cast, i pushkatuem në nji shesh publik, ose i mbyllun në burg për jetë, kudo që i pëlqen Sigurimit”? – “E teprove tashti. Nuk asht edhe aq keq…”! – “Ulu në karrigen time, zoti major. Shikoni botën e re, që po ndërtoni me sytë e mij, ndigjoni me veshët e mij, ulurimat që ngrihen sot, nga nji kand i vendit në tjetrin…kudo në këtë vend ku jetën…”! – “Mjaft fole”! m’u kthye me inat. E me nji ton tallës: “Je avokat i mirë i reaksionit”! Nuk përgjigja. Isha i sigurt, se kisha kalue kufinin. Por ai, më inkurajoi me fole në fillim. Tashti, në fund, duket se të dy u penduem për atë që u tha. Ra heshtja! Ai thirri rojen, e pa asnji fjalë tjetër, u ndamë, që të mos shiheshim ma kurrë!

Ishte hera e dytë që bisedojsha me “majorin”, e ai e dinte mirë qëndrimin tim politik antifashist. Ndoshta, diçka kishte mbetë tek ai, që e pengonte me u sjellë ashpërsisht me mue. Unë e shfrytëzova për nji moment, këtë pikë të dobët të tijën. Por, njikohësisht fillova të mendoj, se ndoshta në fortesën e tij ideologjike, kishte fillue nji “e çarë”…, apo isha tepër naiv?! Tashti, në praninë e këtij “revolucionari”, të kthyem në “oficer Sigurimi”, shihsha mishnimin e aktit degjenerues, që sjellte me vete forca brute e autoritetit të imponuem e, vazhdimisht të kërcënuem. Mundësia e nji jetë dinjitoze që premtonte “revolucioni”, që ai shërbente e që e kishte frymëzue, ishte avullue para dëshirës së zjarrtë për pushtet absolut e, kënaqësisë që jepte diktatura e re. Imazhi i nji fati ma të ndritshëm, për vendin e për popullin, ishte errësue njiherë e përgjithmonë nga gënjeshtra, urrejtja, e reja e zezë, që mshehtësia e krimit, ishte mbi sytë e mbarë nji populli. Kudo mbretnonte e zeza, kudo shtrihej terri i papërshkrueshëm! Për arsye të krimeve të përditshme, e gjithë ideja e lirisë që vjen nga revolucioni ishte njollosë, nxirë, asgjasue.

Shpirtet e zemrat e shumë aktivistëve komunistë, ishin kalbë ashtu si kalbeshin kufomat e viktimave të lanuna mbas dorë, në rrugët e sheshet e vendit, në poligonet e qitjes, të varrosuna, ose akoma mbi dhe, por gjithmonë monumente kokëfortë, që do t’u kujtojshin të gjallëve, dhe atyne që nuk kishin lindë akoma, sa e madhe ishte pesha e krimit, e sa i thellë ishte boshllëku i nji revolucioni pa bujari, si komunizmi në Shqipni! Nga hovi revolucionar i Luftës Nacional-Çlirimtare, që premtonte lindjen e heronjve, “komunistët” shqiptarë, përfunduen në militantizëm stalinist, që i transformoi në antiheroj tipikë…! Gjatë kthimit, po i afroheshim Kuvendit françeskan, ku ishte qelia ime. Para derës së hymjes, nji grumbull i madh familjarësh përpiqeshin me dorëzue rrobe e ushqim, për të dashtunit e tyne. Roja e kuqe i shante, i shtynte, i pështynte, por ata ngulshin kambë. Roja ime përpiqej me hapë rrugën, në mes të kësaj turmë fatzeze. Pa pritë, pashë nanën e shikimet tona u kryqëzuen.

Kishte ma shumë se nji vjetë, që ishim nda. U përpoqa me buzëqeshë. Ajo më pau, e u lëshue pa mendue fare, drejt meje, me shpresë të më përqafonte. Por, nuk bani veçse nji hap, kur roja e kuqe, i dha nji shkelm në stomak, plakës së veshun me të zeza. Nana ra në shesh, tue mbajtë barkun e lënduem me dorë. Menjiherë, roja më shtyni me forcë. – “Çfarë shikon, derr”?! – më tha. – “Asht nana ime” -, përgjegja, ndërsa po kalojsha pragun e derës së burgut. Mbas nji çasti, që m’u duk i gjatë sa nji vjetë kohë, nuk u përmbajta pa thanë: “Unë nuk do të shkelmojsha kurrë nanën tande”! Roja brute, më shikoi për disa çaste me sytë e idiotit, që ndigjon e nuk kupton, e thirri tetarin e rojes; “Merre këtë të burgosun në dorëzim”! i tha. Dy minuta ma vonë, isha përsëri në qelinë time, me mendje të prishun e zemër të thyeme. Në qeli, gjeta dy të burgosun të rij, katundare nga fushat e Trushit. I përshëndeta, me gëzimin që më pruni prania e dy njerëzve të gjallë pranë meje, mbas nji izolimi të gjatë. Ata kthyen përshëndetjen, pa asnji interesim. Kuptova, se kam të baj me të torturuem, që kanë frikë me folë, ose me të rij të paambientuem me burgun. U ula mbi leckat e mie, i vramë shpirtnisht, nga skena e policit, që shkelmoi nanën plakë e të përbuzun. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb