Shpëtim Duro po shijon kryesimin në ka mpionatin e Maqedonisë së Veriut si trajner i Strugës, duke qenë tashmë i shkëputur me 5 pikë nga ndjekësi më i afërt, Shkupi. 63- vjeçari nga Tirana kërkon të fusë në histori Strugën këtë sezon, duke e udhëhequr drejt titullit dhe Kupës për herë të parë si klub. Kampionati i vendit fqinj nuk është një ligë e panjohur për Duron, pasi ka drejtuar Shkëndijën e Tetovës në dy periudha. Por, përpara se prezantohej te Struga më 1 mars, largimi i tij nga Egnatia u mbush me mister.

Vetë trajneri nuk ka dashur të komentojë vendimin e drejtuesve të klubit rrogozhinas, por dy muaj e gjysmë nga ky shkarkim, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Duro lëshon një “bombë”, që nuk prek vetëm atë: “Për largimin dhe emërimin e trajnerëve në kampionatin shqiptar nuk marrin pjesë në masën 100% presidentët e klubeve, por ka edhe një grup mafioz që punon gjithmonë mbrapa shpine për të vendosur të ardhmen tonë”.

Zoti Duro, si është të drejtoni Strugën dhe për më tepër të jeni në vendin e parë në Maqedoninë e Veriut?

Struga është një skuadër me disa lojtarë që unë i njoh shumë mirë, pasi i kam drejtuar në klube të tjera në të kaluarën. Këtu kam parasysh 5-6 emra, me të cilët kam bashkëpunuar në kohën kur isha trajner i Shkëndijës së Tetovës dhe Partizanit. Janë futbollistë shumë cilësorë dhe mund të veçoj sulmuesin më të mirë të Maqedonisë në vitet e fundit, Besart Ibraimi. Gjithashtu kam në ekip lojtarë të njohur si Bunjamin Shabani, Besmir Bojku e shumë të tjerë.

Nëse Struga do të ishte pjesë e Superiores, për çfarë vendi do të luftonte me këtë ekip që ka aktualisht?

Jam i bindur që me këtë skuadër që kam, nëse do të merrnim pjesë në Superiore, do të ishim pa dyshim në katërshen e parë dhe do të luftonim për titullin kampion, ashtu siç po bëjmë tani në Maqedoninë e Veriut.

Ju erdhi keq që u larguat në atë mënyrë nga Egnatia?

Që kur jam larguar nga Egnatia, kam zgjedhur të mos prononcohem për atë që ndodhi, sepse të them të drejtën jam ndierë shumë keq. Arsyen që jam larguar unë e di shumë mirë. Sigurisht që ishte e papritur dhe zhgënjim i madh, por nuk dua ta publikoj të vërtetën në këtë moment.

Pse nuk doni ta publikoni të vërtetën?

Për largimin dhe emërimin e trajnerëve në kampionatin shqiptar nuk marrin pjesë në masën 100% presidentët e klubeve, por ka edhe një grup mafioz që punon gjithmonë mbrapa shpine për të vendosur të ardhmen tonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb