Ngjarja e ndodhur në Fier më 1 shkurt, ku mbeti i vrarë 42-vjeçari Shkëlzen Kastrati, vazhdon të mbajë në peshë policinë dhe prokurorinë e Fierit.

Burime të sigurta deklarojnë se janë shoqëruar 7 persona të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen e gjetjen e autorëve, ndërsa 2 persona janë shpallur në kërkim, për të dhënë dëshmitë e tyre.

Një prej dy personave të shpallur në kërkim mësohet se është edhe pronari i “Audi”-t që u gjet në Kamëz, me të cilin mendohet se janë larguar autorët. Po të njëjtat burime kanë saktësuar se për ngjarjen kanë dëshmuar edhe dëshmitarë okularë të cilët kanë parë largimin e mjetit “Range Rover” nga rotondo-ja e Sheqit, vendi ku ndodhi ngjarja, e deri në “Mbikalimin e Baltëzës”, aty ku mjeti brenda të cilit ishte edhe arma e krimit, u dogj.

Madje në momentin kur autori i ka vënë flakën makinës dhe është larguar drejt automjetit që e priste mbi “by-pass”-in, në sallën operative është bërë edhe një telefonatë ku është thënë se një makine i është vënë flaka në këmbët e urës së “by-pass”-it, dhe një i ri ishte ngjitur me shpejtësi drejt rrugës, nga ku dhe është larguar.

Aktualisht është duke u hetuar në disa pista, ndërsa ende nuk ka një version zyrtar se cili ka qenë motivi që ka çuar në ekzekutimit të 42-vjeçarit Shkëlzen Kastratit, babait të 4 fëmijëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb