Një person ka vdekur dhe 38 të tjerë u plagosën pasi një autobus turistik u përmbys në rrugën hyrëse për në Zonën Rekreative të Pyjeve Kombëtare Taipingshan në Qarkun Yilan të Tajvanit, sipas autoriteteve lokale.

Shërbimet e urgjencës së qarkut Yilan thanë se autobusi turistik që transportonte 42 persona, duke përfshirë 40 turistë nga Taoyuan, shoferin dhe një udhërrëfyes turistik, u përmbys rreth orës 15:00  ndërsa zbriste malin.

Gjithsej 39 persona u dërguan në spital, duke përfshirë shtatë të plagosur rëndë, pesë të lënduar në masë të moderuar dhe 26 me lëndime të lehta.

Një grua, rreth 70 vjeç, u gjet në vendin e ngjarjes pa shenja jete dhe u dërgua me urgjencë në spitalin Lotung Poh-Ai, ku u shpall e vdekur, sipas autoriteteve.

Sipas një hetimi paraprak të policisë, autobusi turistik nuk mundi të ngadalësonte shpejtësinë për shkak mosfunksionimit të frenave.

Megjithëse shoferi tërhoqi menjëherë frenin, ai nuk ishte në gjendje të ndalonte automjetin, i cili më pas doli nga rruga dhe ra mbi një parmak përpara se të përplasej në faqen e një shkëmbi dhe të përmbysej pranë burimeve të nxehta Jiuzhize.

Shoferi iu nënshtua testit të alkoolit i cili rezultoi negative

Hetimet e mëtejshme për shkaqet e aksidentit janë ende duke u zhvilluar, thanë autoritetet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb