Nga Genc Burimi

Vetëm një gjë do të mbahet mend nga fjalimi një orë e gjysmë i presidentit amerikan në Davos: Trump e përjashton kategorikisht përdorimin e forcës në Groenlandë.

Është lajmi më i mirë jo vetëm për Europën, e cila diti të rezistojë në këtë dosje, por edhe për vetë Amerikën.

Prej ditësh, bursat në të dy anët e Atlantikut kishin hyrë në një vals makabër. Kërcënimet e vazhdueshme të Trumpit, i cili nuk e përjashtonte forcën për të marrë atë ishull akulli danez, e çuan dje Parlamentin Europian të bllokonte për momentin miratimin e marrëveshjes së prillit të kaluar midis Trump dhe von der Leyen, marrëveshje në të cilën BE-ja i akordonte avantazhe substanciale tregtare SHBA-ve. Po dje, në mënyrë simbolike, një fond pensioni danez filloi të shiste bonot e thesarit amerikan, një gjest i cili, po të imitohej nga të gjitha vendet e BE-së, mund t’i zhyste SHBA-të dhe dollarin në një krizë madhore financiare.

Janë këto lëvizje “shahu” rezistence nga europianët, mes shumë masash të tjera kundërsulmi në përgatitje e sipër, që i kanë frikësuar jashtëzakonisht aktorët kryesorë të biznesit amerikan. Janë këta të fundit që e detyruan presidentin e fuqisë më të madhe ekonomike dhe ushtarake në botë të bëjë një hap mbrapa sot në Davos dhe të rivendosë paqen “e ftohtë” midis SHBA-ve dhe Europës. Do të duhen gjeste të tjera nga ana e amerikanëve që besimi të rikthehet, dhe jo domosdoshmërisht me këtë president.

Presidentit Donald Trump i kanë shpjeguar se nuk ia vlen të humbasësh tregun më të pasur të botës, atë europian, për një krizë artificiale mbi Groenlandën. Marrëveshja e arritur në prillin e kaluar parashikon futjen e çdo produkti amerikan në tregun e BE-së pa asnjë taksë dhe qindra miliarda shpenzime europiane për të blerë hidrokarbure amerikane apo për të investuar në SHBA. A mund ta linte biznesi amerikan të humbiste një shans të tillë?

Fjalimi i qetë, por i vendosur, i presidentit francez dje ka bërë edhe ai efektin e tij. Macron vuri si SHBA-të ashtu edhe europianët përballë përgjegjësisë së tyre. Ose presidenti amerikan heq dorë nga kërcënimet për të pushtuar Groenlandën, ose vetë Europa do të shpërbëhet nëse nuk vë në veprim arsenalin bërthamor ekonomik vetëmbrojtës kundër SHBA-ve, me masa që shkojnë nga reciprociteti i taksave doganore e deri te dëbimi nga tregu i Europës së bashkuar i Google, Netflix, X, Facebook etj. Një luftë ekonomike vetëshkatërruese në perspektivë, për një ishull akulli.

Futja në rezistencë edhe e Britanisë së Madhe kundër Trumpit në këtë dosje ishte po ashtu vendimtare në “marshin mbrapa” të Donald Trump në Davos. Pa folur për zërat në Gjermani për bojkotimin e Kampionatit Botëror të Futbollit këtë verë në SHBA, apo “jo”-në e Melonit, pas asaj të Macronit, për t’u futur në Bordin e Paqes.

Me një fjalim, apo me dy-tre fjali që bota e civilizuar i priste prej javësh, Trump arriti ta shuajë krizën sikur t’i hidhte një kovë gjigante me ujë zjarrit që po pushtonte tokën e ngrirë të Groenlandës dhe po përfshinte edhe vetë interesat ekonomike strategjike amerikane. Në Davos po flitej për një “rebelim” të bankierëve amerikanë kundër presidentit të tyre, që po injekton ankth dhe frikë në planet – tmerri i bankierëve – ndërkohë që biznesi ka nevojë për qetësi, besim, siguri dhe parashikueshmëri.

Trump tregoi në fjalimin e tij se e kuptoi mesazhin e të gjithëve: se lufta midis aleatëve rrezikon të çojë në humbje për të gjithë. SHBA dhe BE treguan sot se ajo që i bashkon është shumë më e fortë se ajo që mund t’i ndajë. Përballja është me aksin e së keqes, me Kinën dhe Rusinë në krye, dhe jo me veten.

Të shohim tani se cila do të jetë përgjigjja e Europës ndaj “dorës që po i shtrin” Trump, duke deklaruar se nuk do të ketë luftë për Groenlandën. Këshilli Europian i kryetarëve të shteteve dhe qeverive mblidhet këtë të enjte. Me siguri do të kërkohet nga Trump që, pas Groenlandës, të heqë dorë edhe nga shpallja e represaljeve me taksa të rritura doganore kundrejt tetë vendeve që mbrojtën Danimarkën, pasi këtë pikë presidenti amerikan e kaloi në heshtje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb