Me 61 gola në 51 ndeshje me fanellën e Bayern Munich, 73 në total, përfshi këtu edhe golat me Anglinë, për herë të dytë radhazi, Harry Kane fiton “Këpucën e Artë”, golashënuesi më i mirë në Evropë. Në këtë garë mes “bomberash”, Harry Kane la pas emra si Haaland dhe Kylian Mbappe. Në ceremoninë gala, me trofeun në duar, Harry Kane u shfaq i emocionuar duke pranuar se po kalon momentin e tij më të mirë në karrierë:
“Jam shumë krenar për këtë trofe. Sezoni i fundit ishte më i mirë në karrierën time, deri më tani. Mbase jam në kulmin e karrierës time. Më duhet të falënderoj Bayern Munich, këtu ndihem si në shtëpinë time”, u shpreh Harry Kane.
Shifrat e “bomberit” anglez që nga dita kur zbarkoi në Mynih nga Tottenham për 100 milionë euro janë me të vërtetë fantastike. Në 146 ndeshje në total me fanellën e Bayern ka realizuar 147 gola. Për presidentin e nderit të Bayern, Uli Hoeness, Kane është blerja më e mirë që kanë kryer ndonjë herë në histori.
Këtë periudhë palët, Bayern dhe Kane, janë përfshirë në negociata ku pritet që shumë shpejt të gjejnë një akord të ri për rinovimin e kontratës, fakt që e pranoi edhe drejtori sportiv i klubit gjerman, duke shtuar se kanë mbetur vetëm detajet e fundit. Kane pritet të firmos një kontratë deri në vitin 2029 nga ku do të përfitojë 25 milionë euro në sezon.
Jo vetëm “Këpuca e Artë”, Kane shihet edhe si një nga favoritët, kandidatët kryesor për të fituar “Topin e Artë” këtë vit.
