Ka përfunduar mbrëmjen e djeshme Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për Fëmijë “1 mbi 1 dritaret”.Edicioni i katërt i këtij festivali u organizua këtë vit në “Hammamin e Vrionasve”,tek Porta e Pashait.

Ky festival bëri bashkë artistë të vegjël nga 10 qytetet: Berat,Dimal,Gjirokastër,Fier,Vlorë,Shkodër,Elbasan,Kukës,Tiranë e Sarandë,të cilët përformuan çdo natë me shfaqjet e tyre.Artistë të moshës 5-15 vjeç,nga i gjithë vendi,u ngjiten në skenën e qytetit muzeal për 5-netë me radhë,duke dhuruar emocione të papërshkrueshme për spektatorët.

Në natën finale të festivalit,pas interpretimit të shfaqjeve teatrale të dy qyteteve Sarandë e Berat,juria e përbërë nga aktorët e mirënjohur shqiptar Ndriçim Xhepa,Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku dhe Anila Bisha ka ndarë edhe 3 çmimet fituese.

Çmimin e parë të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit për fëmijë “1 mbi një Dritaret” e ka fituar trupa teatrale e qytetit të Fierit,e cila u paraqit me shfaqjen dramatike “Medea”,çmimin e dytë e fitoi trupa teatrale e qytetit të Elbasanit me shfaqjen “2 martohen 200 tërbohen” dhe çmimin e tretë e fitoi trupa teatrale e qytetit të Beratit me shfaqjen “Zonja nga qyteti”. Aktorja më e mirë protagoniste,me rolin e Medinës,u shpall Darlin Dimo,aktorja kryesore e trupës tetrale Fier,ndërkohë që juria ndau edhe 4 çertifikata mirënjohjeje për aktorët e trupave teatrale Dimal,Sarandë, Kukës e Elbasan.
Kryetari i jurisë,aktori Ndriçim Xhepa,ka theksuar se Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për fëmijë “1 mbi një Dritaret” ka një rëndësi të veçantë për gjeneratën e re,pasi i nxit ata drejt aktiviteteve kulturore.Sipas Xhepës,konkurenca mes qyteteve ishte e lartë,pasi çdo trupë teatrale ishte përgatitur më së miri për të performuar në skenën e këtij qyteti kaq turistik e të veçantë dhe për të përcjellë emocione mbresëlënëse për të gjithë shikuesit.

“Jemi shumë të kënaqur që trupa teatrale e qytetit të Fierit mori çmimin e parë me shfarjen e dramës “Medea”,një shfaqje kjo që mer çmimin e parë në Berat,pasi ka fituar çmimin e parë edhe në Festivalin Ndërkombëtar të dramës antike në Korinth të Greqisë”-,ka thënë drejtuesja artistike e trupës teatrale Fier,Adriana Hila.

Darlin Dimo,aktorja kryesore e trupës tetrale Fier,e cila fitoi edhe çmimin e parë si aktorja më e mirë protagoniste në rolin e Medeas,është shprehur se,ka aktruar që e vogël dhe se aktrimi është pasioni i saj më i madh.Ajo shprehu mirënjohje dhe vlerësim për çmimi e parë që mori trupa e saj teatrale dhe ajo vetë si aktorja më e mirë protagoniste.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb