Bruno Gomesh është largimi i parë nga Vllaznia. Drejtuesit e skuadrës shkodrane kanë preferuar të mbyllin bashkëpunimin me këtë futbollist, duke mos rinovuar me të.

Kontrata e futbollistit me klubin e Vllaznisë ka përfunduar dhe tashmë, ai do të largohet nga Shkodra. Gomesh u afrua në merkaton e verës si një futbollist që do të zëvendësonte Bekim Balajn në repartin e sulmit, por nuk arriti të linte gjurmët e duhura në Superiore me Vllazninë.

Trajneri Brdariç siç duket nuk e ka pasur në plane për sezonin e ri dhe tani Gomes, duhet të shohë për një tjetër aventurë. Braziliani bëhet futbollisti i parë që lë Shkodrën ende pa filluar merkato e verës, teksa ai fillimisht do të largohet në drejtim të vendlindjes së tij. Ndërsa të tjerë lojtarë duket se janë në planet për t’u larguar nga Vllaznia. Një prej tyre mësohet se është edhe mesfushori Lorik Boshnjaku.

BOSHNJAKU Lorik Boshnjaku mund të jetë një tjetër lojtarë që mund të lërë Vllazninë. Nëse me brazilianin Gomes ishin kuqeblutë që lanë jashtë planeve të vetë sulmuesin tjetër situatë duket me mesfushorin kosovar. Mesfushor është në fund të kontratës së tij me Vllazninë. Kontratë, e cila përfundon më 30 qershor dhe më pas do të dalë i lirë në treg. E ardhmja e tij është në pikëpyetje, pasi për lojtarin ka interes të lartë nga disa skuadra. Vllaznia kërkon rinovimin, pasi është një nga protagonistët absolutë në 2 sezonet e fundit, por rreziku i vjen nga kampionati i Kosovës. Gjilani ka dërguar një ofertë zyrtare drejt lojtarit dhe dëshiron ta ketë në skuadër për sezonin e ri.

Klubi kosovar pas një sezoni zhgënjyes, do të tentojë të ringrihet në atë pasardhës teksa priten investime në merkato. Klubi kosovar ka një tjetër rival mesa duket në rrugën për të marrë shërbimet e futbollistit nga Prishtina. Është pikërisht skuadra kampione e Kosovës, Ballkani që prej disa kohësh ka shfaqur interes për mesfushorin. Jo vetëm kampionet e Kosovës e duan këtë lojtar. Mësohet se në muajin e fundit interes për të ka shfaqur edhe Shkëndija e Tetovës.

Në këto rrethana, tashmë që edhe kontrata me Vllazninë i përfundon, më shumë mundësi Boshnjaku do të ndërrojë skuadër. Por ndoshta Boshnjaku nuk do të jetë i fundit pasi siç mësohet disa prej lojtarëve titullarë i mbaron kontrata në fund të muajit qershor. Bëhet fjalë për Hakajn, Smajlin, Malajn, por edhe kapitenin Bala. Do të pritet se si do të jetë edhe përgjigja e tyre ndaj klubit, pasi siç mësohet në drejtim të tyre nuk kanë munguar edhe ofertat si nga brenda dhe jashtë Kategorisë Superiore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb