Shumica e qytetarëve polakë janë kundër përfshirjes së vendit të tyre në një forcë shumëkombëshe paqeruajtëse në Ukrainë, sipas një sondazhi të publikuar sot nga agjencia “SW Research”.
Sondazhi, i porositur nga gazeta polake “Rzeczpospolita”, tregon se 61.1% e të anketuarve janë kundër vendosjes së trupave polake në Ukrainë, ndërsa vetëm 17.3% janë pro një ndërhyrjeje të tillë. 21.6% e pjesëmarrësve janë shprehur të pasigurt për këtë çështje.
Anketa u zhvillua të martën dhe të mërkurën me 800 qytetarë, në një kohë kur në Europë po zhvillohet një debat i vazhdueshëm mbi rolin e mundshëm të forcave paqeruajtëse, në rast të një armëpushimi në Ukrainë.
Kujtojmë se në muajin shkurt, kryeministri polak Donald Tusk përjashtoi çdo përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake, por deklaroi se Polonia ishte e gatshme të ofronte mbështetje logjistike dhe politike.
Polonia, që ndan një kufi prej mbi 500 kilometrash me Ukrainën, është një nga vendet më të prekura nga lufta, duke strehuar aktualisht rreth një milion refugjatë ukrainas, sipas të dhënave të UNHCR-së, duke u renditur pas Gjermanisë, e cila strehon rreth 1.2 milionë refugjatë.
