Merkato e Juves dhe projekti për sezonin e ri është i lidhur ngushtë me të ardhmen e C.Ronaldo. Në rast divorci në fund të sezonit, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” priten të futen fuqishëm në tregun e transferimeve, Ronaldo do të linte një gropë të madhe të aspektin sportiv por nga ana e tjetër do të kursenin një pagë sezonale afro 32 milion euro. Përpara se të bëjnë një llogari të tillë mbetet për tu përcaktuar se ku do të luajnë sezonin e ardhshëm, në Champions apo Europa League. Në rast se qëndrojnë jashtë Champions, me shumë mundësi i pari që do të largohet është pikërisht C.Ronaldo. Për këtë arsye, Juventus nuk dëshiron të kapet në befasi dhe po studion tregun për të gjetur një pasues të denjë për portugezin.

Sipas të përditshmes spanjolle Sport, Juve ka piketuar Antonie Griezmann si zëvendësuesin ideal të CR7. Sulmuesi francez përfaqëson një transferim jo të lehtë, e para sepse Griezmann dëshiron të qëndrojë tek Barcelona për të provuar edhe një herë shanset e tij. “Gjeli” ka një kontratë me Barçën deri në vitin 2024, t’ia rrëmbesh blugranave në këto kushte kërkohet një sforco shumë e madhe ekonomike. Në fund, edhe Griezmann nuk do ta kishte të lehtë të pranonte ofertën e një klubi që nuk luan në Champions.
(BalkanWeb)
