Vatikani njoftoi sot dorëheqjen e një peshkopi polak, kreut të një dioqeze në Poloninë jugore që së fundmi tërhoqi vëmendjen e mediave lokale, sepse një prift organizoi një … orgji në famullinë e tij.

Në njoftimin e Vatikanit thuhet në mënyrë të përmbledhur se “Ati i Shenjtë ka pranuar dorëheqjen” e Gregors Kazak nga dioqeza e Sosnowiec, pa shpjeguar arsyet.

Media polake megjithatë kujtoi skandalin që shpërtheu në shtator në Dobrova Gornica, një famulli në dioqezën e Sosnowiec, ku një nga priftërinjtë organizoi një orgji, duke ftuar një prostitutë. Rasti ka dalë në dritë pasi i ftuari ka humbur ndjenjat gjatë mbrëmjes dhe pjesa tjetër e pjesëmarrësve është dashur të thërrasë ndihmën e parë.

“At Thomas Z. dhe dy laikë kanë kryer një shkelje shumë të rëndë të vlerave morale, të cilën Kisha nuk e toleron dhe e dënon ashpër. Ky incident është një skandal për besimtarët dhe protesta publike është e justifikuar”, thuhet në faqen e dioqezës.

Peshkopi Kazak, duke njoftuar dorëheqjen e tij, u kërkoi besimtarëve që ta “falnin” për “dobësitë e tij njerëzore” .

Mediat polake kujtuan gjithashtu dy skandale të mëparshme në të njëjtën dioqezë. Në rastin e parë, drejtori i një seminari u arrestua në një klub homoseksualësh, ndërsa në të dytin, një prift 46-vjeçar vrau një dhjak, 20 vjet më të ri dhe më pas kreu vetëvrasje duke rënë në shinat e trenit.

Kazak u shugurua peshkop në vitin 1989 dhe ka qenë kreu i dioqezës së Sosnowiec që nga viti 2009.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb