Policia ka ndaluar dy persona në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në Tropojë, ku një punonjës i Bashkisë humbi jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur pasi ranë në kontakt me energjinë elektrike.

Në pranga kanë rënë Ndriçim Gjocaj, 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, si dhe Gëzim Hasanpapaj, 60 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve. Të dy janë banues në Bajram Curri dhe akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Ngjarja ndodhi më 8 shtator, rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës. Sipas hetimeve paraprake, katër punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë po vendosnin një shtyllë ndriçimi në bazament, kur kanë humbur ekuilibrin.

Për pasojë, shtylla ka prekur telat e energjisë elektrike dhe ka përcjellë rrymën te katër punonjësit.

Nga kontakti me energjinë elektrike humbi jetën punonjësi me inicialet M. S., ndërsa tre të tjerët, A. D., I. D. dhe A. A., mbetën të dëmtuar. Ata u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se ndalimi i dy personave është kryer në vijim të veprimeve hetimore të drejtuara nga Prokuroria, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive për ngjarjen.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb