Inva Mula ishte ndër të parat artiste shqiptare që pasi iku nga Shqipëria preku skenat e mëdha ndërkombëtare operistike. Ndonëse bijë e dy artistëve në zë ne vend, jashtë kufijve ajo do t’ia niste nga e para. Sot, pohon se nuk e di si ia ka dalë. Vite më pas, si në një rikthim në Itakë, ajo risjell gjithçka çka marrë nga ato skena, për t’i rikrijuar në skenat shqiptare, nga ajo e Teatrit të Korçës, në sheshin në krah të kishës së Rehovës në Kolonjë e mandej pranë kishës së Shën Mërise në Maligrad, në Prespë dhe po aq në Pazarin e Korçës.

Në një intervistë për News 24 ajo zbulon gjithë organizimin e festivalit, nga kori Pax Dei i Zana Turkut te muzika e filmave për fëmijë, nga artistët e Operas së Berlinit te muzika greke. Gjithçka në 4 net të Festivalit të saj Muzika Internacionale në Korçë. Intervista zbulon destinacionet dhe destinet; dikur shkonte me të atin Avni Mula shkonte të merrte për të parën herë vlerësimin me çmim të parë. Dhe si dikur i ati atë, ajo çon sot të bijën, Ninen, në të njëjtat udhë. “Vite më parë erdha me babain në Korçë. Mbahej festivali Tefta Tashko Koco ku u vlerësova me çmim të parë. Ishte hera e parë që merrja çmim dhe erdhëm me babain me autobus. Unë u bëra keq. Udha ishte e gjatë dhe më zuri makina. E lamë të ikte sepse unë nuk po bëhesha me mirë. Mu kujtua ky udhëtim me babain kur po kaloja me Ninën (e bija) dhe i tregova se këtu kisha kaluar me babanë. Ka disa pika që janë si pika referimi, që janë një nostalgji e brendshme që kemi nevojë ta trashëgojmë. E marr Ninen me vete që ta shohë se Shqipëria është e bukur. Dhe brezi i Nines do ta shijojë. Shqipëria bëhet e bukur me art të vërtete”, thotë Inva Mula. Ajo vëren se: “Njeriu ne jete përshkon disa trajektore që nuk e di, që nuk i ka programuar. Unë asgjë skam programuar në jetë. Dhe i them vetes si ika dhe bëra gjithë këtë karrierë? Dolëm nga një Shqipëri që ishte… Dolëm tepër tepër tepër të papërgatitur dhe ku e gjetëm gjithë atë forcë për të përballuar atë botë të madhe”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb