Për Stiven Shpendin, dyert e futbollit të rëndësishëm u hapën në këtë sezon pasi sulmuesi shqiptar kaloi nga Çezena te Empoli, ku shihet si një investim i rëndësishëm për të ardhmen. Por me sa duket, të njëjtën rrugë do të bëje edhe vëllai i tij binjak, Kristian, i cili ka ndjekur gjurmët e tij në këtë sezon te skuadra e Çezenës.

Kristian këtë sezon ka shënuar 8 gola me fanellën e klubit të tij në Serinë C, të fundit për t’i dhënë fitoren 1-0 ndaj Peskarës dhe po tregon të njëjtat cilësi si vëllai i tij binjak. Ai është kthyer në forcën kryesore të sulmit te kjo skuadër që do të tentojë të ngjitet menjëherë në Serinë B, duke bërë realitet atë që nuk arriti në edicionin e kaluar.

Por djaloshi shqiptar mund të mos e shoqërojë në këtë rrugëtim klubin e tij, pasi mediat italiane raportojnë se për të ka nisur që tani interesimi i klubeve të Serisë A. “SportItalia” raporton se ai është nën monitorim dhe nëse do të vazhdojë të dhurojë paraqitje të tilla edhe në vijimin e sezonit, ky do të jetë padyshim i fundit për të në kategoritë e ulëta italiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: