Mbrojtësi shqiptar Eljon Sota, aktualisht pjesë e KF Egnatias, është futur seriozisht në radarët e Olimpiakosit.

Klubi grek po monitoron nga afër paraqitjet e 27-vjeçarit, i cili ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës së Egnatias në sezonet e fundit, falë qëndrueshmërisë dhe nivelit të lartë të paraqitjeve në prapavijë.

Qendërmbrojtësi me këmbën e djathtë dallohet për lëvizshmërinë e mirë dhe qetësinë në administrimin e topit, cilësi që i lejojnë të ndihet komod edhe nën presion. Ai shpesh del nga vija mbrojtëse për të avancuar me topin dhe për të ndihmuar në ndërtimin e aksioneve, duke i dhënë ekipit një dimension më modern në fazën e organizimit të lojës nga prapavija.

Nga ana fizike, Sota është mjaftueshëm i fortë për të përballuar duelet një kundër një, si në lojën ajrore ashtu edhe në kontaktet në tokë. Paralelisht, ai shquhet për pozicionimin korrekt dhe leximin inteligjent të situatave të lojës, elementë që e ndihmojnë të kompensojë mungesën e shpejtësisë së pastër dhe ta ketë rrallëherë veten të ekspozuar ndaj kundërshtarëve.

Interesimi i Olimpiakosit vjen si pasojë e rritjes së vazhdueshme të nivelit të tij dhe konfirmon vlerat që Sota ka treguar në kampionatin shqiptar. Një transferim i mundshëm do të përbënte një hap të rëndësishëm në karrierën e mbrojtësit, por edhe një tjetër sinjal pozitiv për rritjen e reputacionit të lojtarëve të Superiores në tregun ndërkombëtar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb