Partizani afroi disa futbollistë në merkaton e verës, të cilëve u ofroi kontrata 1+1. Tashmë është koha, që të merren disa vendime për lojtarët në fjalë.
Një nga rastet më interesante është i Vusal Isgandarlit. Nga Azerbajxhani janë zbuluar prapaskenat për sulmuesin e Partizanit. Sipas zërave, nga të kuqtë është ofruar rinovimi dhe i mbetet në dorë Isgandarlit që të vendosë.
PRAPASKENAT- “Sulmuesi azerbajxhanas i klubit shqiptar të futbollit Partizani, Vusal Isgandarli, mund të ndryshojë skuadër. Sipas azerisport.com, Partizani i ka ofruar tashmë futbollistit 30-vjeçar një kontratë të re njëvjeçare, por Isgandarli ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Kontrata aktuale me klubin i skadon në fund të sezonit”, shkruhet shkurtimisht në artikullin e shpërndarë.
PERIUDHA TE PARTIZANI- Pas gjysmës së parë të sezonit mund të pasqyrohet situata e Isgandarlit te Partizani. Deri tani bëhet fjalë për 18 paraqitje nga ana e tij ku një i përket Ligës së Konferencës. Të gjitha janë si titullar. Isgandarli është nga lojtarët me më tepër minuta te “demat”. Tri gola janë shënuar prej tij në kampionat. Takimi i vetëm që humbi ishte derbi i parë me Tiranën. Në ndeshjen e parë të Europës me Kaljun në Talin, mungoi për shkak të problemeve me dokumentacionin. Kështu bëhet fjalë për futbollistin me më tepër paraqitje këtë sezon në total te Partizani, pikërisht 18.
OBJEKTIVI- Isgandarli nuk është fshehur, ndërsa la të kuptohet në fjalët e tij që synon sërish përfaqësuesen e Azerbajxhanit. Mundësitë janë që nëse objektivat e sezonit nuk përmbushen te Partizani, atëherë rrugët të ndahen. Isgandarli ndërkohë mbetet një ndër lojtarët, që janë parë si të paprekshëm. Herën e fundit ndaj Dinamos asistoi golin që realizoi Rrok Toma. Duket se fjala e fundit për rinovimin te Partizani, i përket pikërisht Isgandarlit.
