Deputetja e pavarur Mariana Koçeku ka reaguar pas episodeve të dhunës gjatë protestës në Tiranë, duke dënuar goditjet ndaj protestuesve dhe duke theksuar se këto pamje shtojnë arsyet për të vijuar protestën.
Në reagimin e saj, Koçeku kujton se protestat morën përmasa masive pas një rasti kur një qytetar u tërhoq zvarrë, ndërsa këtë herë, sipas saj, një tjetër protestues u godit në sy.
“Herën e parë protestat shpërthyen masivisht se u mor zvarrë nji njeri. Sot pamë nji tjetër njeri që u godit në sy. E ndigjuem edhe britmën e tij”, shkruan deputetja.
Koçeku akuzon pushtetin se po e trajton trupin e qytetarit si mjet për të përhapur frikë, ndërsa nënvizon se dhuna ndaj protestuesve nuk e zbeh reagimin qytetar.
“Pushteti vazhdon me e trajtu trupin e qytetarit si vendin ku duhet me u ngulë frika. Por çdo goditje ndaj nji protestuesi e ban edhe ma të qartë pse njerëzit vazhdojnë me qëndru në shesh”, përfundon reagimin e saj deputetja e pavarur.
