Mediat italiane vazhdojnë të nxjerrin në skenë emrat e trajnerëve të kontaktuar nga FSHF-ja për takime rreth stolit të përfaqësueses kuqezi, të lënë vakant nga Xhani De Biazi. Emri i radhës në listë, sipas “Tuttomercatoweb”, është ai i 62-vjeçarit Bortolo Muti, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar ekipe të njohura në Serinë A dhe B si Verona, Napoli, Atalanta, Palermo, Bari, etj. Eksperienca e tij e fundit është ajo në drejtimin e Livornos në edicionin 2015-2016 dhe që atëherë është i papunë.

Bortolo Muti ishte një prej trajnerëve të cilët u dënuan për skandalin e trukimeve që përfshiu futbollin italian disa vite më parë. Ai ishte trajneri i Barit në periudhën në të cilën prokuroria argumentoi nëpërmjet përgjimeve telefonike se klubi kishte manipuluan me dijeni të plotë ndeshjet në Serinë B në favor të basteve sportive.

Para gjykatës sportive, Muti pranoi fajin dhe si rrjedhojë mori një dënim të reduktuar, duke u dënuar në gushtin e vitit 2012 me 4 muaj pezullim nga aktivitetet sportive. Duket se ky dënim ndikoi në karrierën e mëtejshme të tij, pasi që nga viti 2012, kur ka mbaruar periudha e pezullimit, ai ka drejtuar vetëm për pak muaj Padovan dhe Livornon./pamoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb