Bahamas, vend në Karaibe, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të premten, njoftoi presidentja Vjosa Osmani.

Në një njoftim në Facebook, Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Bahamas u arrit në kryeqytetin e Bahamas, Nasau.

“Edhe një vendim historik për vendin tonë”, shkroi Osmani.

Bahamas është bërë tani shteti i 121-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.

Marrëveshja për njohjen e Kosovës nga vendi ishullor i Oqeanit Atlantik dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, u nënshkrua nga presidentja Osmani dhe kryeministri i Bahamas, Philip Davis.

Në një deklaratë të përbashkët, Kosova dhe Bahamas thanë se janë të përkushtuara ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

Ato u pajtuan për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.

“Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e vlerësoi vitin 2025 si “viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë”, teksa shprehu mirënjohje “të veçantë” për presidentin Osmani.
“Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe, bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Mezi presim që njohjen e ndërsjellë ta kthejmë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas”, shtoi ai.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, i falënderoi Osmanin dhe ministrin e Jashtëm të Bahamas, Frederick A. Mitchell, për punën e tyre në arritjen e marrëveshjes.

“Kosova e forcon çdo ditë subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe sovranitetin shtetëror, me punë, dinjitet dhe aleanca të qëndrueshme”, shkroi Gërvalla në Facebook pas njoftimit të presidentes.

Sa shtete e njohin Kosovën?

Njohja nga Bahamas është e katërta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, si dhe Siria nga Lindja e Mesme e njohën atë.

Njohjet nga këto vende vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.

Këto njohje rishtazi e kanë zemëruar Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e Kosovës, pasi vazhdon ta cilësojë atë si pjesë të veten.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb