Realizohet dokumentari “Jetë e trazuar” për kantautorin Françesk Radi. Bashkëshortja e tij rrëfen një vit pa të. Në dokumentar prezantohet jeta e tij, nga Festivali i 11-të, deri në ditët e fundit. Në nderim të tij nesër inaugurohet një monument pranë Liqenit Artificial

“Një vit lamtumire Franko!”. Ky shënim i bashkëshortes së tij, dëshiron të bëjë bashkë mëngjesin e nesërm të gjithë ata që e deshën, si njeri dhe artist, kantautorin Françesk Radi. Një bust për të, do të inaugurohet në orën 09.00 pranë amfiteatrit te Liqeni Artificial, në vendin që ai deshi më shumë në këtë qytet, sepse ishte vendi që me kitarën e tij krijoi meloditë e para.

“Pranë amfiteatrit tek Liqeni Artificial, atje ku me kitarën e pandashme krijoi meloditë e para, këngëtari do të kujtohet përmes muzikës dhe një monumenti kushtuar figurës së tij. Ju presim ta vendosim sërish Frankon mes nesh, ashtu si dikur”, shprehet më tej Tefta Radi. Busti është realizuar nga skulptori Ardian Pepa me mbështetjen e familjarëve.

Ndërsa, në pasdite, ora 17.00 në ambientet e kinema Milenium do të transmetohet dokumentari “Jetë e trazuar për të ndjekur rrugëtimin e një ëndrre, që edhe pse e prerë do të tingëllojë gjatë. Kush e njohu Frankon e deshi, kush e deshi qau, e kush qau nuk i tha dot lamtumirë, por thjesht mirupafshim Mik. Askush nuk vdes në këtë jetë kur jeton në zemër e melodi”, shkruan bashkëshortja e tij.

Tefta Radi ka qenë pranë tij gjatë gjithë jetës, por sot edhe pse ka kaluar një vit nga ndarja e kantautorit nga jeta, ajo ka të vështirë të që të flasë gjatë për shkak të gjendjes së saj. “Momentalisht jam shumë e lënduar, që të flas gjatë. Por jam e lumtur, që në nderim të figurës së tij është realizuar një dokumentar emocionues, që flet për tërë jetën e tij”, shprehet për gazetën “Shekulli”-n, spikerja e njohur.

Ajo na tregon se në këtë dokumentar të realizuar nga Radio Televizioni Publik Shqiptar flitet për jetën e Françesk Radit, por jo vetëm. Përmes jetës së tij vjen e gjithë koha, duke nisur që nga vitet 70-’80, kur nisi censura në artin shqiptar. “Jeta ka qenë e vështirë në këtë vit pa të, tmerrësisht e vështirë. Më mungon gjithçka e bukur. Kujtimet janë kujtime dhe jeta është jetë, por ajo që më mungon është gjithçka e bukur”, rrëfen zonja Radi.

Në dokumentarin “Jetë e trazuar” ndër artistët që flasin janë: Robert Radoja, Bujar Kapexhiu, Josif Papagjoni, Sadik Bejko, Zhani Ciko etj.

Profesor Sadik Bejko është njohur me kantautorin, kur ishte redaktor muzike në Radio Televizionin Shqiptar, asokohe Radi trokiti në dyert e RTSH-së për të provuar talentin e tij, për të regjistruar këngën “Adresa” (1971). Ishte një këngë, të cilën e kishte krijuar vet. Tekstin e kishte shkruar moshatari i tij, Kastriot Gjini. Por, kantautori do të bëhej shumë i njohur edhe me këngët e tjera, që do të këndonte më vonë. Profesor Sejko mendon se zëri i tij i veçantë, ishte i pasur me tonalitete pak a shumë të muzikës moderne edhe asaj të lehtë, që anonin nga muzika italiane. “Kujtoj se asokohe kishte një problem për të hyrë në radio. Thoshin se, në timbrin e tij ka diçka nga Adriano Çelentano. Kjo nuk lejohej në atë kohë”, tregon Sejko.

Por, jo vetëm kaq! Bashkëpunimi me profesor Sadik Sejkon do të vazhdonte edhe më vonë, madje për t’u kujtuar vite e vite më pas për ngjarjet, që pasuan në artin dhe në muzikën shqiptare.

Festivalin e 11-të në RTSH Françesk Radi interpretoi këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota”.

Kjo ishte kënga hapëse në këtë festival. Tekstin e saj e ka shkruar profesor Sadik Bejko. Festivalin e hapi kjo këngë, sepse kërkohej një këngë me tematikë. “Ishte me tematikë për arsye, sepse trajtonte një temë ndërkombëtare. Atëherë, pothuajse e gjithë e majta botërore dhe Shqipëria shqetësoheshin për luftën në Vietnam. Por, pavarësisht se nuk ishte këngë e ashpër, por ishte e butë dhe e angazhuar u tha se kishte tone propagandistike. Shqetësimi dhe lufta, që bëhej në Vietnam shqetësonte edhe të rinjtë në Shqipëri. Kjo temë ishte gati, gati në pohim me propagandën e kohës. Megjithatë, kënga u mor si shkas që Françesk Radi të shkonte për disa vite në Pukë”. Sigurisht që kjo këngë ka qenë pretekst për shkuarjen e tij në Pukë, mendon profesor, sepse ai shihej pak si vëngër edhe për tematikën e dashurisë, që sillte në këngët e tij/ Shekulli

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb