Astrofizikania Mimoza Hafizi, e ftuar në studion e News24, ka komentuar misionin më të fundit të NASA, programin Artemis, i cili së fundmi ka dërguar një anije hapësinore në orbitën e Hënës.

Sipas Hafizit, rikthimi i njeriut në Hënë nuk ka më vetëm një dimension simbolik, siç ishte para 50 vitesh, por lidhet drejtpërdrejt me objektiva strategjikë dhe ekonomikë në hapësirë.

“Kthehemi në Hënë për ta kthyer atë në një “aleate” ekonomike dhe strategjike për dominimin e hapësirës. Ndryshe nga misionet e para, që kishin qëllim të provonin se njeriu mund të shkelte në Hënë, sot synimi është ndërtimi i një pranie të qëndrueshme njerëzore,” u shpreh ajo.

Ajo theksoi se pas misioneve historike të Apollo program, gjatë dekadave të fundit eksplorimi hënor është kufizuar kryesisht në përdorimin e robotëve dhe sondave, pasi objektivat fillestare ishin konsideruar të përmbushura.

Megjithatë, programi Artemis përfaqëson një fazë të re, që synon vendosjen e astronautëve në Hënë për periudha më të gjata dhe nisjen e aktivitetit njerëzor atje.

Hafizi shpjegoi se ky program zhvillohet në disa faza. Faza e parë përfshiu një mision pa ekuipazh, për të testuar trajektoren dhe teknologjinë. Faza aktuale synon të testojë qëndrueshmërinë e astronautëve gjatë udhëtimit dhe integrimin e tyre me sistemet teknologjike, ndërsa faza përfundimtare do të jetë zbritja në sipërfaqen e Hënës.

Sipas saj, Artemis përbën një hap të rëndësishëm drejt një epoke të re të eksplorimit hapësinor, ku Hëna shihet jo vetëm si destinacion shkencor, por edhe si një bazë strategjike për misionet e ardhshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb