Politologu i njohur Ivan Krastev, në një studim të gjatë lidhur me krizën e sotme të demokracisë, thekson faktin se kriza më e madhe ka të bëjë me krizën tonë ndaj besimit, e më së pari ndaj besimit se mund të ndryshojmë.

Dhe në fakt, gjithkush nga ne, sot mendon se di më shumë se sa paraardhësit, por njëkohësisht, beson se ka më pak fuqi për të ndryshuar realitetin se sa paraardhësit.

Po çfarë nuk shkon në këtë epokë ku gjithsecili denoncon, jep fakte, dërgon në rrjetet sociale foto skandalesh, dhe sërish mundësia për ndryshim mbetet gjithnjë e më e paktë, dhe se qeveritë dhe personat që e mbështesin qeverinë vijojnë të zgjerojnë pushtetin e tyre?

Një analizë e politologëve që merret me këtë çështje, vë theksin te humbja e debatit ideologjik. Pra, në këtë komunikim me kaq shumë miq virtualë dhe pak realë, shumëkush nga ne nuk e ka më të qartë kufirin mes atij që mund të konsiderojë mik dhe atij që ka armik. Pra kontrolli ynë për të dhënat rreth nesh, për njohjen me skandale, nuk përkthehet në një instrument që të dimë për të zgjedhur më mirë.

Në Shqipëri p.sh paradoski është mëse i dukshëm- mbi 70 % e shqiptarëve e shohin prej disa vitesh të ardhmen jashtë Shqipërisë, dhe sërish rezulton se po të votohet sot, qeveria ka vota për të mbajtur pushtetin që qytetarët nuk e duan!!!!. Ky paradoks nuk ndryshon edhe kur publikohen skandale, e as kur emra të korruptuarish nuk janë më sekret, siç ka ndodhur edhe me ish zv/kryeministrin apo ministra e drejtorë të rëndësishëm që krijojnë firma për të marrë paratë e taksapaguesve si t’i kenë të babait të tyre.

Po pse sot në këtë fuqi të madhe të transparencës, të denoncimit, të nxjerrjes së fakteve, mbetemi kaq të pafuqishëm për ndryshim?
Sociologu i famshëm, Niklas Luhman, në librin e tij, “Teoritë e shoqërisë” shprehet se “besimi është akt themelor i jetës sociale”. Pra, ne kemi faktet, por kemi humbur besimin. Ne kemi faktet, kemi skandale para syve, por kemi humbur fuqinë tonë dhe qëndrimet morale përballë të keqes, përballë të padrejtës. Sepse ne publikojmë qëndrime në rrjete sociale por nuk bëhemi bashkë në një protestë kundër të keqes, kundër mashtrimit, kundër atyre që vijnë si të fortë për të na rrëmbyer votën.

Sa nga ne e dënojnë sot shpifjen, gjuhën e urrejtjes? Sa nga ne i refuzojnë politikanët që krenohen se arrijnë të vënë në vështirësi kundërshtarin përmes bullizimit, përmes sajimit të fakteve, sajimit të gënjeshtrave, të linçimit, dhe jo të dhënies së argumenteve? E nëse ne nuk arrijmë të jemi ndëshkues ndaj atyre që na gënjejnë, që mashtrojnë që përhapin dhunë, që ushqejnë urrejtjen, që bullizojnë, atëherë, përse duhet të presim ndryshimin?

Pra, ne sot jemi përballë faktit se, jo se nuk dimë për politikat e mbrapshta, por përballë faktit se këto që dimë sot nuk i përkthejmë në qëndrime morale, në reagime vetjake për të drejtën. Ideja se “populli e di” nuk ka asnjë kuptim nëse ne nuk e mbrojmë të drejtën duke kërkuar aleancë të fortë.

Nëse nuk reagojmë, qeveria do e kontrollojë gjithnjë e më shumë zemërimin tonë, duke na dhënë iluzionin se kemi demokraci përmes denoncimit në rrjete sociale, ndërkohë që këto qëndrime të veçuara, egosite të secilit prej nesh, mbeten thjesht në linçime e jo bashkim për një kauzë të drejtë.

Madje në jo pak raste gjithçka mbetet thjesht në linçime anonime, në sharje. Këto qëndrime të veçuara, egosite, më shumë se sa fuqinë për të ndryshuar, forcojnë hijen e komploteve rreth nesh, – “komplote” që i shërbejnë më së shumti atyre që duan të kontrollojnë këtë zemërim të qytetarëve ndaj keqqeverisjes përmes asaj që na e shesin për trasnparencë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: