Nga: MIRON ÇAKO*

Njeriu, kjo qenie psikosomatike (shpirt-trup), përveç shumë instinkteve dhe nevojave fiziologjike që ka për të mbijetuar, më e rëndësishmja dhe jetikja është të ushqyerit. Kaq i fortë është ky instinkt, saqë njeriu rropatet nga mëngjesi deri në darkë për të siguruar bukën e gojës për vete dhe për fëmijët ashtu siç thotë psalmisti: “Del njeriu në punë dhe në mundimin e tij gjer në mbrëmje”(Ps.103). Sfida dhe përpjekja e njerëzimit që nga zanafilla e tij deri më sot, është sigurimi i ushqimit sasior dhe cilësor, dhe kjo sfidë bëhet gjithnjë e më e papërballueshme, për shkak të rritjes me shpejtësi të numrit të popullsisë botërore që sot numëron 7.4 miliardë njerëz. Domethënë, sipas kësaj situate, aksioma materialiste e jetës njerëzore se “Njeriu jeton për të ngrënë” duket më se e përligjur.
Por a është e vërtetë kjo gjë?
Shekullin XXI në të cilin po jetojmë mund ta quajmë pa asnjë dyshim shekullin e konsumit, të mirëqenies, ku njerëzit në përgjithësi janë ushqyer më mirë se në çdo kohë, me një shumëllojshmëri gjithnjë më të madhe shijesh, saqë është e pamundur të provohen të gjitha. Me zhvillimin e teknologjisë, sot nga njëra anë kemi sigurimin sasior të ushqimit, por dhe sfidën që ky ushqim të jetë cilësor, me shije, i shëndetshëm, por edhe fitimprurës për industrinë ushqimore. Kuptohet, në zhvillimin e këtij ekuacioni, kërkesë-ofertë, barazimi aq shumë i dëshiruar, që të kemi gjithnjë më shumë për të ngrënë, nuk del gjithmonë ashtu siç lakmohet, prandaj ka edhe spekulime në kurriz të konsumatorit. Kjo përpjekje e njeriut bashkëkohor, për të siguruar ushqimin me të gjithë energjitë e tij dhe duke u bërë qëllimi i jetës, ka dhënë këto rezultate alarmante në botë.
Parashikimet e OBSH-së të kohëve të fundit tregojnë se deri në vitin 2015 afërsisht 2 miliardë të rritur do të jenë mbi peshë dhe më shumë 700 milionë do të jenë obezë. Mbipesha dhe obeziteti çojnë në pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë sëmundje kardiovaskulare, kryesisht sëmundje të zemrës dhe goditje në tru, të cilat vrasin 17 milionë njerëz çdo vit. Po ashtu diabeti është një tjetër rrezik i madh që shkaktohet nga mbipesha dhe sipas OBSH-së do të bëhet shpejt një epidemi globale; vdekjet diabetike do të rriten më shumë se 50% në mbarë botën në 10 vitet e ardhshme. Po kështu, sipas specialistëve të OBSH-së, disa lloj kancerësh (endometrial, gjirit dhe zorrës së trashë) mund të vijnë nga mbipesha dhe obeziteti. Kjo mbipeshë po rrezikon jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët: gati 22% e fëmijëve nën 5 vjeç janë mbi peshë. Ky fenomen ka prekur edhe Shqipërinë. Duke iu referuar studimit të OBSH-së, 21.6% e fëmijëve 7-10 vjeç janë mbi peshë dhe 7.7% janë obezë. Këta fëmijë mbi peshë janë të rrezikuar për të vuajtur nga diabeti tip 2, hipertensioni, vështirësi në fjetje, si probleme psiko-sociale dhe probleme të përparimit të ulët në mësime.
Shkaku themelor i obezitetit dhe mbipeshës është çekuilibri mes kalorive të konsumuar nga njëra anë dhe atyre të shpenzuara nga ana tjetër. Mbipesha dhe obeziteti u atribuohet një numri faktorësh, duke përfshirë ndryshimin global në dietë me tendencën për të konsumuar më shumë ushqime energjike, me yndyrë dhe sheqerna, por të ulët në vitamina minerale dhe vlera të tjera ushqyese, si dhe një tendencë drejt zvogëlimit të aktivitetit fizik. N.q.se kësaj situate do t’i shtojmë edhe rrezikun që vjen nga ushqimet e modifikuara gjenetikisht (OMGJ), situata bëhet më alarmante. Sot, me përparimet e shkencës gjenetike dhe veçanërisht të degës së bioteknologjisë, shkencëtarët specialistë mund të ndërhyjnë mbi materialin gjenetik në mënyrë krijuese, ata programojnë cilësinë e dëshiruar që duhet t’i japë një varieteti dhe materialit gjenetik, i shtojnë gjenin e përshtatshëm që mban atë cilësi, atë gjen që mund ta kenë marrë nga një organizëm fare i huaj, për ta vendosur në atë që do të ndryshohet. P.sh., në materialin gjenetik të bimëve vendosin gjene mikrobesh, insektesh, peshqish, madje dhe njerëzish, por pikërisht kjo teknikë është shkaku që krijoi problemin e prodhimeve të ndryshuara gjenetikisht, dhe kjo është një gjë që po trondit rëndë publikun si nga ana etike, por edhe mbarëvajtjen shëndetësore. Kur dëgjon se përgatiten të hyjnë në treg peshq si salmoni, mish derri me gjene njerëzore, tranguj ose domate me gjene mikrobesh ose patate me gjenin e zogut të pulës etj., konsumatori nuk mund të rrijë i painteresuar, vetëm n.q.se është kthyer në një makinë konsumi ose është i pafuqishëm për të kundërshtuar. E gjitha kjo bëhet duke u justifikuar nga specialistët, sepse e dinë që të gjithë organizmat janë të krijuar nga i njëjti brumë, d.m.th. shumë gjene të trupit tonë gjenden në shumë organizma të tjerë dhe optimistët synojnë në përfitimet të cilat kanë jehonë dhe përfitim ekonomik. P.sh., domatja u reziston ngricave sepse ka brenda gjen peshku të deteve të Veriut, ose krijohen raca kafshësh, qumështi i të cilave ka më shumë proteina, dhe kështu nga e njëjta sasi qumështi bëhet më shumë djathë etj. Por këto lloj ushqimesh të modifikuara sjellin dëmtime në aparatin tretës, krijojnë alergji, shkaktojnë dëm ekonomik te fermerët, dëmtojnë marrëdhëniet e tregut dhe, mbi të gjitha, dëmtojnë biodiversitetin, prishin ekuilibrin e krijesave të krijuara me urtësi nga Krijuesi me një kot gjenetik dhe rol të veçantë në gjithë krijimin global. Është e gjitha kjo një mungesë etike, egocentrizëm foshnjarak për t’u matur me Zotin, apo një mendje e ligë që i nxit njerëzit e papërgjegjshëm të dëmtojnë njeriun dhe krijesën?
Sot, në një super konkurrencë për fitim nga tregu ushqimor, por edhe nga lakmia deri në grykësi për sasi dhe shumëllojshmëri shijesh ushqimore, patjetër që në pamundësi për të përballuar kërkesën me ofertën e tregut, do bëhen spekulime në cilësi. Që këto ushqime të shpërndahen në të gjithë tregun dhe të rrinë sa më shumë për shitje, lindi teknologjia e konservimit dhe manipulimit të shijes. Vërtet këto ushqime të konservuara kanë zgjidhur disa probleme të ushqimit global, por kur ato bëhen vetëm për fitim dhe shije, spekulimi është në dëm të konsumatorit. Këto ushqime quhen ndryshe edhe sintetike. Konsumimi i tyre i tepërt krijon një rreth vicioz me përdorimin e këtyre produkteve sintetike. Këto produkte janë të varfra me enzima, vitamina, minerale, kripëra, që gjenden tek ushqimet natyrale, dhe kur trupi nuk i merr këta elementë kimikë të domosdoshëm në masën e duhur ose jonatyrale, i bie rezistenca dhe ndihet i pafuqishëm. Më e keqja është se këto ushqime mbeten të patretura dhe kthehen në substanca kimike helmuese që dëmtojnë shëndetin dhe janë shkaktarë të sëmundjeve, rrezik për jetën. Gjithnjë e më tepër njerëzit po përpiqen t’u kthehen ushqimeve bio, por këto ushqime janë 30% më të shtrenjta se produktet e zakonshme dhe një luks për të pasurit, kurse shtresa e mesme dhe e varfër janë të detyruara të konsumojnë ushqime të modifikuara, OMGJ ose të përmbipërpunuara (sintetike), të cilat në treg janë më të lira, por që kanë kosto për shëndetin dhe ndikojnë në jetëgjatësinë e njeriut. Filozofi dhe mjeku, Hipokrati thoshte: “Më thuaj çfarë ha, të të them si je me shëndet”.
Dhe ajo që është më ironike, pavarësisht këtij bumi ushqimor: përsëri ka vende në një varfëri ekstreme. Sot, 24 mijë njerëz vdesin çdo ditë nga uria apo shkaqe që lidhen me të, ku 3/4 e këtyre vdekjeve ndodhin te fëmijët nën moshën 5 vjeç. Rreth 800 milionë njerëz në botë vuajnë nga uria dhe mungesa e ushqimit, sepse vendet e zhvilluara ose më mirë industrialistët preferojnë më shumë t’i groposin mbetjet ushqimore për interesa ekonomike sesa t’ua ndajnë njerëzve në nevojë. UNFAO(Programi botëror i ushqimit OKB), thotë se mbetjet ushqimore janë një faktor që ndikon në urinë në mbarë botën dhe ka pasoja mjedisore. Llogaritet se për arsye të ndryshme, 30% e ushqimit në mbarë botën nuk konsumohet. Në SHBA, sipas FEEDING AMERICA, ka një mbetje ushqimore 25% që nuk konsumohet, groposet, duke u bërë faktor ndotjeje atmosferike me gaz metan, që del nga dekompozimi i tyre. Edhe në Shqipëri INSTAT-i bën të ditur për vitin 2012 se niveli i varfërisë ka arritur 14.3%, ku kjo shifër rritet në çdo vit dhe tregon numrin në rritje të emigracionit të shqiptarëve jashtë vendit, në pamundësi për të përballuar koston në rritje të jetës.
Pra, të gjitha këto fakte tregojë se aksioma materialiste, që njeriu jeton për të ngrënë, nuk e zgjidh siç duhet problemin ushqimor, shëndetësor, social, shoqëror dhe moral të njerëzimit në aspektin rajonal global. Jo se nuk ka ushqim në botë; sot prodhohet në të vërtetë shumë herë më shumë se ç’i duhet njerëzimit aktualisht, por nuk ka një shpërndarje të barabartë për shkak të lakmisë dhe grykësisë, pasione të cilat e “trashin” zemrën e njeriut dhe e bëjnë të pandjeshme, siç thuhet: “Barkploti nuk e kupton (ndjen) barkboshin”. Dhe aq më tepër kur ky instinkt bëhet i vetëm, qëllimi i jetës e dëmton vetë jetën, e ul njeriun në nivelin e kafshës; thjesht të hamë, të pimë, se nesër do të vdesim.
Por le ta shikojmë aksiomën tjetër me karakter shpirtëror: “Njeriu ha që të jetojë”.
Njeriut si krijesë e Perëndisë, iu dha nga Krijuesi instinkti dhe nevoja e ushqimit jo vetëm për mbijetesën e trupit dhe kënaqësinë e shijes, por që ai duke kërkuar ushqim, të kuptojë se është një krijesë e varur nga faktorë të jashtëm, dhe kështu, nuk duhet të bjerë në mashtrimin se është një Zot i vetëmjaftueshëm. Në të njëjtën kohë, duke qenë imazhi i krijuar i Zotit dhe kurora e krijimit, njeriut iu dha nën pushtet dhe për ushqim krijesa bimore siç na thuhet në Zanafilla: “Dhe Perëndia tha: – Ja, unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë, kjo do t’ju shërbejë si ushqim”(Zan: 2-29) Mbas përmbytjes së Noes, meqenëse ndryshuan kushtet klimaterike të tokës dhe u pakësuan burimet ushqimore bimore, frutore, por edhe se natyra njerëzore si trup, kishte rënë në degradim, Zoti i lejon njeriut edhe konsumimin e mishit të kafshëve, duke i ndaluar pirjen e gjakut: “Çdo gjë që lëviz dhe ka jetë do t’ju shërbejë si ushqim, unë ju jap këto gjëra, ju jap barin e gjelbër, por nuk do të hani mishin me gjallërinë e tij, domethënë me gjakun e tij”(Zan 9.3-4).
Pra njeriu, duke i marrë tokës frutat dhe kafshëve mishin, tregonte se është ai zotërues i tyre. Por të gjitha këto ushqime do t’i shërbenin atij për diçka më të lartë, që të lidhej me Perëndinë, ta kujtonte Atë, si Krijuesin dhe furnizuesin e çdo baze ushqimore dhe shkakun primar të ekzistencës së tij, d.m.th., sa herë që ai të hante, të kujtonte dhe lavdëronte Zotin, dhe njeriu duke kërkuar dhe ndarë ushqimin së bashku me njëri-tjetrin të mbetej shoqëror. Mbasi u bë mëkatar dhe borxhli ndaj Perëndisë duke ngrënë frutin e ndaluar e “të së mirës dhe të keqes” (Zan.3), njeriu do t’i afronte, produktet ushqimore bimore dhe shtazore, si flijim falënderimi dhe mëshire pajtuese përpara Zotit. Këtu e kanë shtysën dhuratat e para që i flijuan Zotit dy bijtë e Adamit, Abeli një kafshë, (qengji) dhe Kaini produkte bujqësore të tokës (patate). Këto flijime ishin tregues të motiveve të zemrës së dy vëllezërve, që përfaqësojnë dy kategori njerëzish, besimtar dhe të pabesë, prandaj edhe Zoti pranoi ofertën e Abelit dhe bekoi se cilësia e ofertës tregonte besimin, dashurinë e tij për Krijuesin, e kundërta me Kainin, që afroi mbeturina, që ishte tregues i pabesisë dhe urrejtjes. Kjo gjë vazhdoi edhe te popujt primitivë, të cilët në paditurinë e tyre, krijuan zotat e rreme dhe u afronin atyre flijime bimësh dhe kafshësh, dhe kjo ishte mënyra e komunikimit dhe bashkimit me këta zota, që në vetvete ishin demonë.
Të gjitha këto i themi se ushqimi iu dha njeriut jo si diçka e rëndomtë vetëm për mbijetesën, por në aspektin ceremonial, liturgjik, në komunikim me Zotin dhe nëpërmjet tyre të marrë faljen, shpëtimin, bekimin. Këtë qëllim kishin edhe theroret e kafshëve dhe produkteve bimore para Krishtit, por të gjitha ishin të pamjaftueshme dhe hije e asaj që pritej të vinte. Me ardhjen e Krishtit në botë si Biri i Perëndisë dhe Biri i Njeriut, tha për vete: “Unë jam buka e jetës, unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli, nëse ha ndonjë nga kjo bukë do të jetojë përjetë, buka që unë do të jap është mishi im, që unë do të jap për jetën e botës …kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim” (Jn. 6: 48-57). Kjo është arsyeja që ne të krishterët çojmë në kishë bukë edhe verë, të cilat shndërrohen me lutjet e klerit, në Trup dhe Gjak të Krishtit dhe kush kungohet prej atyre, merr Bukën e Jetës, bëhet i ngjashëm, vëlla me Krishtin, me njëri-tjetrin, bashkohet me Perëndinë: “Që u jep ushqim gjithë gjallesave, se e përjetshme është dashuria e tij.”( Ps. 136) Në këtë mister të Kishës Orthodhokse që quhet Kungata Hyjnore, përmbushet plotësisht aksioma: “Njeriu ha që të jetojë përjetë”.
Krishti kur ishte i uritur, si njeri në shkretëtirë, u tundua nga djalli, që i tha, se nëse ishte Biri i Perëndisë t’i kthente gurët në bukë, por ai i tha tunduesit, në emër të gjithë njerëzimit: “Njeriu nuk jeton vetëm nga buka, por nga çdo fjalë që thotë Perëndia”(Luk. 4:3). Këtë gjë e vërteton edhe praktika e kreshmës që mbajnë të krishterët në periudha të caktuara të vitit, që etimologjikisht, vjen nga fjala latinisht “Quaresimo” – (40 ditët). Gjatë këtyre periudhave të krishterët nuk konsumojnë ushqime shtazore dhe nënprodukte, por vetëm ushqime bimore. Qëllimi i kësaj praktike e mësuar nga vetë Krishti që agjëroi 40 ditë e net dhe nga tradita e vetë Kishës si trupi i Krishtit, është që ta çlirojë njeriun nga skllavëria e instinktit ushqimor, që e lidh me dheun dhe e transformon në një gjendje shtazore, i cili e gjen kënaqësinë dhe qëllimin e jetës vetëm në konsumin e ushqimit material, dhe ta lartësojë në lartësinë shpirtërore (në kërkim të ushqimit mendor), në një komunikim intelektual me Zotin (inteligjencën superiore). Vetëm në këtë komunikim, që ndihmohet nga vetëpërmbajtja (kreshma), njeriu shkëputet nga shtaza dhe bëhet qenie mendore e ngjashme me Zotin sipas Hirit.
Periudha e kreshmës, sidomos asaj që quhet e madhe, është koha e përgatitjes për festën e ngjalljes së Krishtit (Pashkës). Ajo është simbol i gjallë i tërë udhëtimit të jetës së njeriut besimtar, jetë që do të përmbushet në takim dhe bashkim me Krishtin e ngjallur, me trup të pavdekshëm të lavdëruar, i çliruar përfundimisht nga çdo nevojë dhe vartësi e ushqimit material dhe tokësor. Kreshma është një kohë për të ringjallur devotshmërinë në lutje, në lëmoshë për njerëzit të cilëve u mungon ushqimi i përditshëm, në ndihmë sociale, çlirim nga egoizmi, armiqësia dhe epshi, të cilat e kanë burimin te lakmia dhe grykësia. Prandaj kreshma është koha e rikthimit te porosia më e madhe e ligjit: “Të duash Perëndinë, të duash të afërmin”. Kjo nuk është një periudhë greve urie, zie dhe trishtimi, por përkundrazi, një kohë ngazëllimi dhe pastrimi i shpirtit me pendim, që ndihmohet nga kreshma. Kreshma si mjet dhe jo qëllim e rikthen njeriun në gjendjen e parë si të Adamit, kur ai ushqehej me bimësi në kopshtin e Edenit. Të gjithë ne që ishim tek Adami si farë e tij, të mund të shikojmë në mënyrë retrospektive rënien e tij që u bë edhe rrënja e të gjithë njerëzimit (mëkati stërgjyshor), sepse nuk iu bind ligjit të kreshmës, që Zoti Perëndi ia dha: “Ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, se ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur me siguri”(Zan 2.16 17). Por të mund të shikojmë realisht edhe rëniet tona personale, që sa herë ishim të papërmbajtur nga lakmia e syrit, lakmia e të ngrënit, lakmia për diturinë e fshehtë, hëngrëm edhe ne nga fruti i ndaluar (mëkati personal). Pra lakmia, grykësia dhe krenaria, na nxori nga parajsa tokësore, vetëpërmbajtja në ushqim së bashku me pendimin dhe përulësinë, na vendos së bashku me Krishtin në parajsën qiellore. Zoti Jisu Krisht iu tha nxënësve: “Dhe unë ju caktoj një mbretëri ashtu si Ati ma ka caktuar mua, që ju të hani e të pini në tryezën time”(Luk. 22: 29-30).
Kreshma si praktikë është dhe një përkujdesje për vetë shëndetin dhe jetëgjatësinë. Vetë urdhërimi për kreshmët, tregon përkujdesin që ka Perëndia si Atë, për popullin besimtar, jo vetëm për korrigjimin e tyre moral, por dhe për shërimin dhe shëndetin e trupit. Kisha e krishterë ka 2000 vjet që i aplikon këto “receta shëndetësore”. Sot njerëzit që kanë abuzuar me konsumimin e tepërt të ushqimit duke u bërë skllav i tij dhe rrezikojnë shëndetin, së bashku me mjekët që kanë si detyrë të kurojnë dhe të mbrojnë shëndetin e trupit, duan apo nuk duan po i japin të drejtë mësimit dhe praktikës së Kishës Orthodhokse, në lidhje me kreshmën, duke e parë atë thjesht dhe vetëm si dietë ushqimore, terapi, që kuron sëmundje. Se vërtet: “Gjellët janë për barkun dhe barku gjellët…por jo gjithçka është e dobishme.” (Kor. 6:12)
Sot recetat më imediate për kurimin sa më të shpejtë dhe efikas të sëmundjeve të kohës, që siç përmendëm janë bërë mbisunduese dhe rrezik për shëndetin global, janë ato me bazë kreshmore, d.m.th. shmangia sa më shumë e ushqimeve shtazore dhe një konsumim i balancuar me ushqime bimore. Sipas rregullave kishtare, gjysma e vitit është kreshmë, dhe ato ditë kreshmore janë të shpërndara në gjithë ciklin vjetor në një urtësi të tillë që e ndihmojnë trupin të marrë vitaminat e duhura, të largojë kaloritë e tepërta përpara një stine që ato nuk nevojiten. Por jo vetëm cilësia, por edhe sasia ndihmon. P.sh., ne të krishterët kreshmojmë, gjatë periudhës së pranverës deri për Pashkë, dhe kjo na ndihmon që të hyjmë me një trup të lehtësuar në periudhën e verës. Kuptohet, nuk duhet të arrijmë në ekstremin tjetër për të demonizuar mishin dhe hyjnizuar bimësinë, ashtu siç bëjnë dhe disa fe okulte të Lindjes, si hinduizmi, budizmi etj., të cilat e shikojnë ushqimin bimor si ushqimin e “zotave”, dhe kjo gjë po reflektohet sot edhe te një lëvizje “trendi” për ushqimet vegjetariane. Asnjë nga ushqimet nuk është i mallkuar, përkundrazi, i nevojshëm, por duhet të merren me falënderim ndaj Krijuesit, të konsumohen të balancuar dhe me masë. Për këtë gjë kaq të shëndetshme dhe jetike na ndihmon tradita dhe praktika e kreshmës, sipas urtësisë së Kishës Orthodhokse, që ka dhe frymëzon aksiomat me karakter shpirtëror: “Njeriu ha që të jetojë” dhe “Lum kush do të hajë bukë në Mbretërinë e Perëndisë”. (Luk 15.15)
* Përgjegjës i Zyrës sëKatekizmit, KOASH

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: